Detajet nga komunikimi i rrallë mes Adem Jasharit dhe Adem Demaçit, para luftimeve në Prekaz

Adem Demaçi dhe Adem Jashari janë dy nga figurat më të rëndësishme të Kosovës, të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e kombit shqiptar.

Në librin “Vrasje në Shtutgart”, nga autori Apostol Duka ishte intervistuar edhe simboli i rezistencës kombëtare, tashmë i ndjeri Adem Demaçi. Libri i kushtohej veprimtarisë së heroit Kadri Zeka, por Adem Demaçi kishte treguar edhe për mesazhin dhe komunikimin nga larg që kishte pasur me komandantin legjendar Adem Jashari, para fillimit të luftimeve në Prekaz.

Pas ngjarjeve të janarit, unë ia kam dërguar njeriun Adem Jasharit. Ka qenë Rexhep Uka, shok i imi. I kam thënë, thuaj Ademit se lufta e deritanishme ka qenë vetëm provë, që serbët të shohin se sa jeni ju të armatosur, sa jeni të vendosur, sa vetëdije keni etj. Por, ata kanë vendosur që bërthamën tuaj ta shkatërrojnë përfundimisht. Nëse ju jeni të vendosur që ta vazhdoni kryengritjen, atëherë forcat më të shumta duhet t’i nxirrni nga rrethi, sa ende ai nuk është mbyllur. Kurse të tjerët që do të mbeten, duhet të bëjnë rezistencë të fuqishme, sa të jetë e mundur. Dhe Ademi iu përgjigj Rexhepit: “O Rexhë, unë e di çka po thotë baca Adem. Por thuaji bacës se, me bo vaki me u tërhjekë unë, tërhiqen krejt… Kështu që unë e kam sosë të qëndroj me të gjitha!…“, kishte treguar Adem Demaçi, transmeton Demokracia.com.

Më tutje, ai e kishte quajtur Adem Jasharin si komandant i përjetshëm legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *