Detaje nga incidenti në Veri: Polici shtiu pesë herë me armë në gomat e veturës, shoferi iku në drejtim të Serbisë

Mbrëmë ka ndodhur një incident në Mitrovicën Veriore, teksa Policia e Kosovës ndodhej në një pikë kontrolli në fshatin Banje, kur u detyruan ta përdorin armën e zjarrit. Rasti ndodhi në një rrugë ilegale, ku kaloi një automjet, që u urdhërua të ndalonte, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Sinjali ka mësuar detaje të reja lidhur me rastin, i cili me urdhër të prokurorit është cilësuar si ‘Vrasje në tentativë’.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari me shpejtësi tepër të madh ka tentuar i t’i godas me veturë zyrtarët policorë.

Ai nuk u ndal me kaq, pasi që shoferi që drejtonte automjetin iu sul për të dytën herë një zyrtari policor, çka bëri që ky i fundit të gjuajë pesë herë me armë në drejtim të gomave të veturës.

Pavarësisht tentativës për ta ndalur dhe arrestuar të dyshuarin, ai ka arritur që të largohet aty dhe sipas burimeve, është larguar në një rrugë që të çon në drejtim të Serbisë.

Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, mirëpo njësitë policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, teksa po vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit.

Ndërkohë në njoftimin e mbrëmshëm të Policisë thuhet se si vazhdimësi e hetimit, njësitë relevante policore kanë ndaluar dy automjete tjera në atë lokacion, e që dyshohet se mund të ndërlidhen me veturën e dyshuar.

“Aty gjendeshin pesë persona, të cilët janë dërguar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u tha në komunikatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *