Deputetët iu rikthyen sot Kuvendit të Kosovës me sesionin e vjeshtës, për çka kryekuvendari i kërkoi sukses në këtë sesion të ri.
Në seancë po marrin pjesë mbi 61 deputetë.
Në hapje të seancës, kreu i këtij institucioni, Glauk Konjufca u shpreh se i kanë parë me shumë trishtim përmbytjet në Libi dhe tërmetin në Maroko, nga katastrofa ku humbën jetën mijëra qytetarë.
Më pas Kuvendi mbajti një minutë heshtje për viktimat.
Ndërkaq, ky është rendi i ditës për dy seancat e sotme:
Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,
Deklarimet jashtë rendit të ditës,
Pyetjet parlamentare,
Votimi i Propozim-Rezolutës për punën dyvjeçare të Qeverisë së Kosovës,
Shqyrtimi i Projektligjit nr.08/L-251 për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-185 për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore,
Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-205 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,
Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.
Seanca e jashtëzakonshme:
Debat parlamentar lidhur me dështimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sigurimin e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe arsimit të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023/2024.