Dellova shpallet “Ylli i Javës” nga FFK-ja

Me supergolin që e shënoi ndaj Dritës në fitoren 1:0 në kuadër të xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në futboll, Lumbardh Dellova e ka fituar epitetin e “Yllit të Javës” nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Dellova shënoi gol nga gjuajtja e lirë në minutën e 36-të, dhe me golin e tij, Ballkani mori pikët e plota ndaj gjilanasve të Dritës.

Fitorja ka bërë që Ballkani të shkëputet në tabelë pas 11 ndeshjeve të luajtura me 29 pikë, shtatë më shumë se Drita që po ashtu ka 11 ndeshje.

Vlerësimi i më të mirit është bërë nga Komisioni i veteranëve të futbollit, i përbërë nga Flamur Sinani, Lulzim Rrmoku e Bujar Asllani.

“Jam shumë i lumtur për fitoren e po ashtu edhe për golin që e shënova në derbi. Ndeshja ishte e mirë duke e pasur parasysh që ishim të lodhur pak si ekip, por e rëndësishme ishte të marrim tre pikë dhe jemi shumë të lumtur. Jemi që dy vite me trajnerin Daja, nga eksperienca e të cilit kemi mësuar shumë. Duhet çdo ndeshje të futemi të motivuar, të bëjmë një hap drejt klubeve evropiane”, ka thënë Dellova për FFK-në të premten.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *