Deliu: Nuk ka vend për racizëm, Drenica ka nevojë për ndihmë

Deputetja e PDK-së Blerta Deliu, ka bërë thirrje për solidaritet me Drenicën, në këto ditë kur është goditur nga vërshimet si pasojë e reshjeve të shiut.

Deliu përmes një postimi në Facebook ka shkruar se shoqëria jonë e di vlerën e jetës, përmes çmimit që ka paguar për një jetë në liri. Në Drenicë, si çdo kund në Kosovë, i gjen njerëzit e zakonshëm që i kanë qëndruar përballë këtij çmimi. Jo për vete. Jo kundër dikujt. Për Kosovën. Për të ardhmen.

“Nuk ka vend për racizëm lokal e kulturor. Nuk ka, e s’ka për të pasur kurrë dallim në mes njerëzve të Kosovës. Nuk ka e nuk do të ketë kurrë dallime, që janë më të mëdha sesa ajo çfarë e kemi të përbashkët: vetëdijen që na bashkon, të ardhmen që e duam dhe karakterin për ta parë njëri-tjetrin, si njerëz mbi të cilët mund të mbështetemi e që i mbështesim”, tha Deliu.

Deputetja e PDK-së ka shkruar se të tillë kemi qenë e të tillë jemi si shoqëri. Asnjë gënjeshtër e hipokrizi snobe, nuk mund ta errësojë këtë të vërtetë. Ajo çfarë përfaqëson Drenica, është ajo çfarë e ka të mbjellë përbrenda secili qytetar i Kosovës. Është kohë për solidaritet e mbështetje. 

“Sot, Drenica ka nevojë për ndihmë. Sot, e gjithë Kosova duhet të hapë zemrën për Drenicën. Të tillë jemi në të vërtetë. Le të bëhemi bashkë, që mbi këtë fatkeqësi që ka goditur njerëzit, ta shpalosim të vërtetën tonë si popull, kundër racizmit, dallimeve e gënjeshtrave që përpiqen t’i vënë në mesin tonë. Bashkë!”, ka shkruar Deliu”, tha Deliu.

Më tej ajo shkroi se Skenderaj është ndër qytetet që është prekur më së shumti nga vërshimet në dy ditët e fundit.

/GazetaSinjali/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *