Deklarohet presidentja: Mësimdhënësit t’i hapin shkollat të hënën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur lidhur me grevën e sindikalistëve, duke thënë se është duke u përpjekur maksimalisht për të gjetur një zgjidhje në mënyrë që nxënësit të mos pësojnë më tutje.

Osmani në një konferencë për media tha se duhet bashkuar forcat që të përmirësohet cilësia e sistemit arsimor në Kosovë.

“Për gjatë ditëve të kaluara, kam qenë në komunikim me Qeverinë e Kosovës, me të cilën ka vazhduar edhe sot e do të vazhdojë edhe më tutje lidhur me këtë çështje. E drejta kushtetuese e fëmijëve në arsim nuk duhet të lejojmë të cenohet, por duhet të bashkojmë forcat që të përmirësojmë cilësinë e sistemit arsimor, me nxënësit në qendër të vëmendjes. Mësimi duhet të fillojë menjëherë. Jam e përkushtuar maksimalisht për të gjetur zgjidhje në mënyrë që sa më shpejt të jetë e mundur që nxënësit të mos pësojnë më tutje”, tha ajo.

Ndër tjerash, Presidentja kërkoi që mësimi të fillojë të hënën.

“Sot me prezantimin e pakos ekonomike, Qeveria ka bërë një hap të rëndësishëm për zgjedhjen e kësaj zgjidhjeje, tani është koha që sindikatat ta tregojnë një vullnet të mirë, që mësimdhënësit t’i hapin shkollat të hënën në mënyrë që të krijohet një atmosferë krejtësisht e re, ku të gjitha palët ulen dhe i i tregojnë kërkesat e tyre”, deklaron Osmani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *