Dedaj: E kom pagu luftën ma së shtrenjti në Kosovë, edhe me shkarkim nga pozita e ambasadorit

Dëshmitari Gjergj Dedaj gjatë dëshmisë së tij që po vazhdon edhe sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, tha se luftën e ka paguar “më së shtrenjti në Kosovë”, teksa s’ka lënë pa e përmendur sërish shkarkimin e tij nga pozita e ambasadorit.

Dedaj tha se lufta e tij ka qenë edhe zbardhja e bisedave në Qirez e Baicë, luftë kjo për të cilën, siç tha ai, po e paguan edhe familja e tij.

“Lufta ime 25-vjeçare…përveç që e kom bo luftën ballë për ballë me regjimin e Millosheviqit, çdo ditë dhe çdo natë, e kom pagu ma së shtrenjti në Kosovë. Lufta ime këto 25 vjet ka qenë edhe zbardhja e të vërtetës të bisedave që i kemi pasë në Qirez dhe në Baicë. Kjo ka qenë një luftë, që familja jem po e paguan ma së shtrenjti. Bile e kena pagu edhe me shkarkim nga pozita e ambasadorit.”, tha Dedaj.

Ndryshe, Dedaj është dëshmitari i 33-të me radhë në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Me fillimin e dëshmisë së tij, Dedaj tha se ka kërkuar që seancat të jenë të mbyllura që të mos iu rrezikohet e ardhmja dhe familja e tij.

“Unë kam të drejtë me protestu sepse unë resposible, unë jam përgjegjës për fatin e fëmijëve të gjeneratave, mbesave e nipave të mij dhe për këta duhet me pas konsideratë. Kam kërku gjatë bisedave me ju që seancat të jenë të mbyllura për mos me ma rreziku të ardhmen dhe familjen dhe të ardhmen në Kosovë. Nëse qëllimi i kësaj gjykate është vetëm me nxjerrë çka keni dëshirë dhe të ndodhë çkado me Kosovën, na hapni plagë të reja, ajo është tjetër gjë”, tha Dedaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *