Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se pandemia e COVID-19 mund të qetësohet këtë vit në atë pikë ku të përbëjë një kërcënim të ngjashëm me gripin.
Agjencia shëndetësore e OKB më herët shprehu besimin se do të jetë në gjendje të shpallë fundin e urgjencës diku në vitin 2023, duke thënë se ishte gjithnjë e më shpresëdhënëse për mbylljen e fazës pandemike të virusit.
Fundjava e kaluar shënoi tri vjet që kur OBSH e përshkroi për herë të parë situatën si një ‘pandemi’ megjithëse shefi i organizatës, Tedros Adhanom Ghebreyesus, këmbëngul se vendet duhet të kishin vepruar disa javë më parë.
“Mendoj se po arrijmë në atë pikë ku mund ta shikojmë Covid-19 në të njëjtën mënyrë si gripin sezonal”, tha në një konferencë shtypi drejtori i urgjencave të OBSH-së, Michael Ryan.
Shefi i OBSH tha se bota ishte në një pozitë shumë më të mirë tani sesa ka qenë në çdo kohë gjatë pandemisë.
OBSH shpalli nivelin më të lartë të alarmit që mund të tingëllojë, më 30 janar 2020, kur, jashtë Kinës, ishin raportuar më pak se 100 raste dhe asnjë vdekje.
Por vetëm kur Tedros e përshkroi situatën në përkeqësim si një pandemi më 11 mars të atij viti, shumë vende dukej se u zgjuan nga rreziku.
“Ne shpallëm një emergjencë globale shëndetësore për të nxitur vendet të ndërmarrin veprime vendimtare, por jo të gjitha vendet e bënë,” tha ai të premten.
“Tre vjet më vonë, ka pothuajse shtatë milionë vdekje të raportuara nga COVID-19, megjithëse ne e dimë se numri aktual i vdekjeve është shumë më i lartë.”
Ai ishte i kënaqur që për herë të parë, numri javor i vdekjeve të raportuara gjatë katër javëve të fundit ka qenë më i ulët se kur ai e përshkroi për herë të parë COVID-19 si një pandemi.
Por ai tha se më shumë se 5,000 vdekje të raportuara në javë ishin shumë për një sëmundje që mund të parandalohet dhe trajtohet.