Një grup i FBI është dislokuar në Tiranë për të mbështetur hetimet për zbulimin e autorësisë së sulmit kibernetik ndaj sistemit të shërbimeve online në Shqipëri.
Lajmi është bërë i ditur nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë vizitës në Qendrën e Kontrollit Teknik të Automjeteve Vlorë.
“Kemi një dislokim të FBI në Tiranë për të ndjekur gjithë procesin. Dhe duhet të ketë një investigim të thellë të këtij sulmi kibernetik, pasi sot lufta më shumë se kurrë zhvillohet ne energji dhe në fushën kibernetike”, tha Balluku.
Sipas saj, këto janë të gjitha fenomenet e zhvillimit teknologjik të botës, por edhe Shqipëria nuk përjashtohet nga këto sulme.