Një ditë pas sinjalizimit nga sistemi i BE-së, më 3 qershor dy inspektorë të AUV, Musa Dibrani dh Fatoz Haziri kishin shkuar për inspektim në fabrikën Vipa Çips në fshatin Pestovë të Vushtrrisë.
Në këtë pikë, lind pyetja se a kishte çipsa edhe në tregun vendor nga linja e njëjtë e prodhimit, prej nga doli sasia e lartë e kimikatit kancerogjen akrilamideve?! Përgjigja del të jetë po.
“Me 2 qershor me 03 menjëherë kemi dalë në vendin e ngjarjes dhe kemi marrë të gjitha veprimet ligjore që produktet të verifikohen, të analizohen dhe pastaj të qiten në treg”, tha kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tërshnjaku.
Por, sa ditë qëndruan në treg derisa urdhëroi AUV tërheqjen e tyre dhe cili ishte fati i tyre në Kosovë?
Bazuar në procesverbalin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, kompania është urdhëruar të bëjë analizat laboratorike dhe detikimin e akrilamideve tek të gjitha llojet e çipsit, si dhe pastrimin e rrjetës së furrës në të cilën bëhet pjekja.
Mostrat e marra sipas inspektorëve do të dërgoheshin në laboratorin e AUV për testim.
Bazuar në procesverbalin e datës 15 qershor, rezultatet e analizave dolën të gjitha me prani të akrilamideve mbi normat e lejuara.
Por, kryeinspektori sanitar në AUV nuk i pranon këto analiza.
I pyetur se cilat kanë qenë rezultatet dhe çfarë hapa kanë ndërmarrë më 15 qershor, ai nuk jep përgjigjen në përputhje me raportet e inspektorëve.
Gazetarja: Pasi keni pranuar mostrat më 15 qershor, çfarë hapa keni ndërmarrë, çka kanë dalë rezultatet laboratorike?
Tërshnjaku: Shikoni, unë po e përsëriti disa herë ndoshta, ja s’po mund ta kuptojmë këtë problemin.
Gazetarja: Edhe unë po ju pyes sërish për ta kuptuar. Më 15 qershor 2023, pasi i keni pranuar mostrat e laboratorit, cilat kanë qenë rezultatet e mostrave të laboratorit dhe çfarë hapa keni ndërmarrë?
Tërshnjaku: Po të gjitha hapat të cilët janë përsëritur në mënyrë të vazhdueshme, me kusht që siguria e produktit të jetë në normën për konsum.
Ndryshe nga zyrtari shtetëror, menaxheri i cilësisë nga kompania pranon rezultatet e analizave dhe tregon se arsyeja e nivelit të lartë të kimikatit në çips ka ardhur si pasojë e përdorimit të patates së vjetër vendore e cila ka pasur prani të shtuar të sheqerit.
“Shikoni, ne përdorim masat preventive, me ato analiza që paraprakisht që di që ndikojnë tek sasia e sheqerit të reduktuar, në laboratorin tonë i kryejmë ato analiza. Dhe sheqeri i reduktuar ka qenë në nivelin e pranueshëm, në bazë të analizave që i kemi ne. Mirëpo, në pjesën e përpunimit ajo është aktivizuar dhe është paraqitur si rezultat..”, tha menaxheri i cilësisë në kompaninë “Pestova”, Agran Halimi.
Bazuar në analizat laboratorike, në riinspektimin e 15 qershorit tre inspektorë kanë marrë vendim, duke ia caktuar kompanisë katër obligime.
Në rend të parë kompania është urdhëruar të tërheqë të gjitha produktet e dyshimta pas kërkesës të sistemit rapid evropian.
Pika dy parasheh ndalimin e përkohshëm të linjës së prodhimit të çips e të gjitha llojeve të testuara, të cilat kanë rezultuar me përmbajte me akrilamid mbi nivelin e lejuar.
Pika tre ka paraparë njoftimin e opinionit publik që të mos konsumojnë produktet që kanë përmbajtje të akrilamideve mbi normat e lejuara.
Dhe pika katër ka listuar artikujt e dyshimtë ushqimorë.
Bazuar në procesverbalin e po të njëjtës ditë, kompania është urdhëruar të ndërrojë llojin e patates për prodhimin e patates së pjekur, duke qenë se ajo që kishte dalë me nivel të lartë të kimikatit kancerogjen, ishte për shkak të nivelit të lartë të sheqerit në patate.
Pika e parë e vendimit të inspektorëve u zbatua.
Punëtorët e kompanisë “Pestova” dolën në terren për t’i tërhequr çipsat e shitur nga linja e njëjtë e prodhimit me ata për tregun italian.
Asgjësimi është bërë më 26 qershor, 24 ditë pas pranimit të informacionit nga sistemi rapid i BE-së.
“Halimi: Në tregun vendor nuk ka qenë sasi e madhe, për arsye se në momentin që na kanë lajmëruar neve, menjëherë i kemi tërhequr ato nga tregu dhe ato që i kemi pasur në stoqe menjëherë e kemi asgjësuar.
Gazetarja: Por, për çfarë sasie bëhet fjalë për ato që kanë qenë në treg?
Halimi: Po nuk ka qenë sasi, ato kanë qenë diku 200 deri 300 paketime, paketime nga 9 qese ne paketim”.
I pyetur se sa është diferenca në mes sasisë së shitur dhe asaj të tërhequr, Halimi thotë të jetë e ulët.
“Gazetarja: Dhe a është vërejtur diferencë e madhe në mes sasisë të cilën ju e keni dorëzuar dhe asaj të cilën e keni kthyer, për ta kuptuar se sa nga ato paketa janë shitur tek konsumatorët?
Halimi: Për fatin tonë, pjesa më e madhe ka qenë në depot tona dhe për fatin e konsumatorëve pjesa me e madhe ka qenë në depo, d.m.th një sasi e vogël ka filluar të shpërndahet dhe e tërë sasia është tërhequr nga tregu.
Gazetarja: Çfarë sasie ka qenë në treg?
Halimi: Në treg ka qenë nëse nuk gaboj diku 100 paketime. Ato janë tërhequr dhe janë asgjësuar dhe janë kthyer prapë në fabrikë.
Gazetarja: Dhe sa prej sasisë që e keni vendosur në treg e keni parë se veç është shitur?
Halimi: Ka qenë sasi shumë e vogël, sasi e vogël prej 100 paketimeve sa kanë qenë nuk janë shpenzuar më shumë se pesë-gjashtë paketime në treg, për arsye se në momentin që na kanë lajmëruar, ne menjëherë kemi reaguar dhe shumë shpejt i kemit tërhequr. Për arsye se e kemi një sistem ku saktë dihet në ditën e caktuar sa sasi është prodhuar, nga sasia e prodhuar tek cilët konsumatorë ka shkuar, d.m.th e kemi një sistem të gjurmimit i cili na ka ndihmuar që shumë shpejt ta tërheqim sasinë që është në treg”.
Raportet e siguruara nga “Betimi për Drejtësi” japin këtë pasqyrë, që shitja rezulton të jetë më e madhe se ajo që thotë Halimi.
Në total fabrika ka prodhuar 2475 çipsa, prej tyre 1209 janë tërhequr nga tregu, derisa 1266 janë shitur.
Për rrjedhojë, i bie që mbi 50 për qind e sasisë së prodhuar me nivel të lartë të akrilamideve të jetë shitur.
“Gazetarja: Cilat kanë qenë vlerat e e akrilamidit?
Halimi: Tash përmendsh nuk i di, por kanë qenë mbi vlerën e lejuar.
Gazetarja: Kanë qenë dyfish, trefish, katërfish më shumë?
Halimi: Mund ta siguroj dhe t’jua përcjell”.