Këshilltari i Lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje për takimin e nesërm në Bruksel.
Chollet theksoi se temë ishte edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe partneriteti i fortë mes SHBA-së dhe Kosovës.
“Bisedë shumë e mirë me kryeministrin Albin Kurtin për takimin e liderëve të 2 majit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja, rëndësinë e zbatimit të menjëhershëm të Asociacionit për Komunat me shumicë Serbe dhe partneritetin e fortë SHBA-Kosovë”
Tashmë liderët e të dy vendeve, Kurti dhe Vuçiq, kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e 2 majit.
Takimi do të zhvillohet në kohën kur Kosova ka akuzuar Serbinë se ka shkelur Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, të arritur më herët gjatë këtij muaji.
Serbia ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, pavarësisht se me Marrëveshjen drejt normalizimit është zotuar se nuk do ta pengojë Prishtinën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.