Në mars të 1991-it u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste.
Partia Demokratike e Shqipërisë (PDSH) nuk arriti të fitonte shumicën në parlament. Këto zgjedhje parlamentare u dekretuan nga Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Pas zgjedhjeve, u krijua qeveria afatshkurtër Nano. Vrasja e katër demonstruesve në Shkodër dhe plagosja e dhjetëra të tjerëve, pasoi në greva të përgjithshme të Sindikatave të Pavarura (BSPSH), që filluan më 15 maj 1991 dhe shkuan deri në grevë urie.
Mbledhja e 3 qershorit të 1991-it do të shënjonte ardhjen në pushtet të një qeverie koalicioni. Pas ditësh bisedime, partitë politike vendosën që qeveria të jepte dorëheqjen, duke i kërkuar Presidentit të Republikës emërimin e një kryeministri të ri nga Partia e Punës.
Ndërsa zgjedhjet e reja do të kryheshin në periudhën maj–qershor 1992, anëtarët e qeverisë duhej të shkëputeshin nga partitë e tyre dhe të mos formonin parti të reja politike.
Çfarë rezervuan zgjedhjet e parakohshme?
22 marsi i 1992-it do të mbahet mend gjatë në radhët e Partisë Demokratike (PD). Pas 48 vjetësh dominim të Partisë së Punës, PD-ja arriti të kryesonte në zgjedhjet e parakohshme.
Ajo fitoi shumicën absolute të vendeve në parlament. Në këto zgjedhje, Partia Demokratike nuk garoi e vetme, por duke krijuar një koalicion me Partinë Republikane dhe Partinë Social Demokrate.
Zgjedhjet u fituan bindshëm nga Partia Demokratike me 62.08% të votave (92 vende). Partia Socialiste arriti vetëm 25.70% (38 vende), Partia Social Demokrate 4.30% (7 vende).
Ky moment ishte historik për Shqipërinë. Partia e Punës nuk do të ishte më në krye të qeverisjes së vendit. Partia Demokratike, si forcë e parë, ndryshoi kursin e politikës.
Gara u ndje edhe te mediat e asaj kohe. Fushata mediatike u zhvillua midis gazetës së PS-së “Zëri i Popullit” dhe gazetave të opozitës “Rilindja Demokratike”, “Republika” dhe “Alternativa SD”.
Entuziazëm në “shtëpinë e PD-së”
Në mëngjesin e 23 marsit 1992, situata në selinë e PD-së ishte tejet entuziaste.
Mbështetësit e kësaj partie u drejtuan në sheshin “Skënderbej” në një miting spontan.
Në mbrëmje, Ambasada Amerikane organizoi një koktej, ku për herë të parë kryetari i PD-së, Sali Berisha, në një konferencë shtypi prezantoi programin e tij.