Nuk janë të pakta rastet në Kosovë, kur viktima të dhunës në familje janë prindërit të cilët përjetojnë nga fëmijët e tyre dhunë psikike e fizike. Për një rast të tillë të dhunës në familje, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘Shaip Kamberi’ në Prishtinë, ku një 52-vjeçar dyshohet se ka rrahur brutalisht nënën e tij e cila është në moshë të shtyrë.
Sinjali mëson se i dyshuari e ka sulmuar fizikisht duke e goditur me mjet të fortë druri. E moshuara si pasojë e kësaj ka marrë lëndime trupore për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Ndërkohë rastin e ka denoncuar edhe në Polici, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.