Njëri nga të arrestuarit e djeshëm, si i dyshuar nga grupi që grabitën një argjendari në Suharekë, Bujar Basha ka një histori kriminale me të paktën 6 dënime të plotfuqishme për grabitje dhe vjedhje.
Gjykata Themelore e Prizrenit ka konfirmuar për KALLXO.com, të paktën gjashtë aktgjykime të plotfuqishme dënuese për Bujar Bashën.
Bujar Basha kishte qenë në vuajtje të dënimit në Burgun e Sigurisë së Lartë deri më 14 shtator të këtij viti.
2 muaj më vonë, më 22 nëntor ka ndodhur plaçkitja e armatosur në një argjendari në Suharekë, për të cilën Basha është arrestuar si i dyshuar.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka konfirmuar për KALXLO.com se Bujar Basha kishte qenë i dënuar me 5 vite e 2 muaj burgim për grabitje dhe ishte liruar dhe se deri në momentin e lirimit të tij, ky person është kategorizuar me rrezikshmëri të lartë.
“Personi në fjalë është liruar pas përfundimit të dënimit, lirim normal nga Burgu i Sigurisë së Lartë, me datë, 14.09.2023, ku ishte i dënuar me 5 vite e 2 muaj për Veprën Penale Grabitje. Deri në momentin e lirimit i njëjti ishte i kategorizuar me rrezikshmëri të lartë” – thuhet në përgjigjen e Shërbimit Korrektues.