Borxhi i konsumatorëve ndaj Termokosit rreth 18 milionë euro

18 milionë euro është borxhi i konsumatorëve ndaj Ngrohtores së qytetit të Prishtinës “Termokos”.

Borxhi sipas kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje, Fisnik Osmani është i akumuluar ndër vite dhe se janë duke punuar në uljen e stokut të borxhit.

Osmani ka deklaruar se “Termokosi” arrin të inkasojë më shumë se 90 për qind të të hyrave dhe se kjo po arrihet falë shërbimit që ofrojnë.

Ndonëse borxhi prej 18 milionë eurove është duke u trajtuar nga organet vendimmarrëse, Osmani është shprehur se kohëve të fundit konsumatorët janë më të përgjegjshëm dhe po i paguajnë faturat, teksa thotë se kjo u mundëson t’i realizojnë projektet.

“Borxhet ndaj ndërmarrjes e tejkalojnë shumën prej 18 milionë euro. Nuk është borxh i periudhës së fundit, është borxh i akumuluar qysh prej pasluftës. Ne po e trajtojmë edhe me dy organet vendimmarrëse brenda në ‘Termokos’, se si të adresohet tutje. Ajo që zyra jonë po punon pandërprerë është që për shërbimin që e kemi ofruar t’i marrim paratë që i kanë borxh qytetarët dhe këtë po e bëjmë sidomos për periudhën e fundit dhe mund të them se ka pasur efekt. Duhet të jemi korrekt, nuk duhet të ankohemi se ‘Termokosi’ ka kënaqëshmëri me pjesën e inkasimit, pra qytetarët e paguajnë shërbimin, që nënkupton kur merr shërbim qytetari edhe e paguajnë. Pra jemi në shifrat mbi 90 për qind të inkasimit dhe neve kjo do të na ndihmojë shumë që t’i realizojmë projektet e nisura për të ardhmen”, thotë Osmani.

Kryeshefi i “Termokosit”, ka folur edhe për projektet e nisura dhe ato që janë në përfundim e sipër. Ai thotë se synim kanë shtrirjen e rrjetit në shumë lagje të Prishtinës dhe se kjo është e papërballueshme për ndërmarrjen.

“Ne kemi bërë intervenime në disa lagje. Ajo çka kemi ndjek si politikë dhe vazhdojmë ta mbajmë të njëjtën është që zgjerimi i ‘Termokosti’ tentohet të shkon në lagje e jo në objekte të veçanta. Ideja është ne po e mbulojmë pjesën e Arbërisë, po e mbulojmë mbrapa hotel ‘Siriusit’ ose nën parkun e qytetit, kemi bërë intervenime në pjesën dërmuese në rrugën ‘Muharrem Fejza’ dhe natyrisht e kemi mbulu Ulpianën përveç ku ka probleme me pjesën sekondare dhe nuk është obligim i joni”, u shpreh Osmani.

“Ideja e menaxhmentit tonë në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Prishtinës nuk është që të ndalemi me kaq. Ne kemi projekt për vitin e ardhshëm edhe zgjerimin në disa lagje tjera dhe jemi në finalizim të detajeve teknike dhe na mbetet diskutime me komunën ose me donatorë. Për shkak se investimet në rrjetin primar të ngrohjes, investimet në bërjen gati të nënstacioneve, instalimin e stacioneve të reja, janë kosto e lartë e të cilat përkundër qëndrueshmërisë, është e vështirë dhe sfiduese me i përballu vetë për shkak se ne edhe aktualisht kemi obligime ndaj projekteve aktuale për shkak në një pjesë të caktuar jemi edhe me bashkëfinancim”. /EO

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *