Bislimi tha se Kurti e Vuçiqi do të nënshkruajnë në ceremoni me 27 kryeministra, Stano: S’komentojmë pretendime

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi paralajmëroi një ceremoni ku do të merrnin pjesë të gjithë kryeministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Europian kur Kosova dhe Serbia do të nënshkruanin marrëveshjen të bazuar në planin europian. Këtë deklaratë, Bislimi e bëri disa ditë pas takimit trilateral në Bruksel kur kishte optimizëm se takimi i radhës do të sillte marrëveshjen e nënshkruar. Por, marrëveshja hyri në fuqi në Ohër në mënyrë më modeste – me një deklaratë të Borelli.

Bislimi kishte thënë se në momentin kur palët dakordohen për aneksin, atëherë BE merr përsipër procedurat e nënshkrimit, apo finalizimit.

“Do të ketë një ceremoni, gjasat janë të mëdha që në ceremoni do të marrin pjesë të gjitha kryeministrat e 27 shteteve të Bashkimit Evropian, në mënyrë që të rritet përkushtimi politik i Bashkimit Europian, prapa këtij dokumenti. Kjo është ideja apo plani, këtë duhet ta aranzhojë z.Borell”, kishte thënë Bislimi,

Por, për këtë deklaratë të Bislimit e ka quajtur një “pretendim” zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, në pyetjen e Gazetës Express nëse ishte në planet e Unionit një ceremoni e tillë.

“Ne nuk komentojmë atë që njerëz të ndryshëm pretendojnë se BE-ja mund të bëjë ose jo”, tha Stano.

Stano shtoi se aktualisht janë të përqendruar që ta çojnë punën përpara në mënyrë që Kosova dhe Serbia të fillojnë pa vonesa të përmbushin zotimet e tyre të bëra në Ohër të shtunën e kaluar.

Në një përgjigje më të gjatë, Stanoi listoi prioritetet që duhet të kenë Kosova dhe Serbia tash e pas.

“Pra, pa spekuluar se çfarë mund të jetë në fund të procesit të përgjithshëm dhe çfarë jo, më lejoni të ndaj se çfarë duhet bërë së pari:

Liderët europianë në takimin e tyre në Bruksel këtë të enjte i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë shpejt dhe me mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga takimi i Ohrit. Të dyja palët ranë dakord në Ohër që të fillojnë menjëherë zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes dhe Aneksit. Teksti i rënë dakord thotë qartë: “Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë aneks”.

Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell informoi liderët europianë për bisedimet e Ohrit dhe theksoi se Kosova dhe Serbia tani duhet të përmbushin atë që kanë rënë dakord. Ai gjithashtu kujtoi se çdo spekulim për nënshkrimin apo vlefshmërinë e Marrëveshjes është i kotë. Historia e dialogut ka dëshmuar se rëndësia e marrëveshjes matet nga niveli i zbatimit të saj, jo nënshkrimi. Ai ishte shumë i qartë se marrëveshja është rënë dakord, duhet zbatuar dhe nuk ka vend për zgjedhje.

Dispozitat e Marrëveshjes (përfshirë Aneksin) tani do të inkorporohen në Kapitullin 35 për Serbinë dhe në agjendën e Grupit Special për Normalizimin për Kosovën. Kjo do të thotë se palët do të jenë të detyruara kontraktualisht të zbatojnë dispozitat nëse dëshirojnë të bëjnë përparim drejt BE-së. Moszbatimi do të thotë të braktisësh rrugën drejt BE-së.

Reputacioni ndërkombëtar dhe besueshmëria e palëve është gjithashtu në rrezik këtu – në mënyrë që të shihen si një partner i besueshëm i BE-së, palët duhet të zbatojnë atë që kanë premtuar.

Në ditët në vijim, tani me miratimin nga Këshilli Europian (udhëheqësit e të 27 shteteve anëtare) institucionet e BE-së do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit së bashku me palët. Siç tha Përfaqësuesi i Lartë të enjten: “Unë do t’i këshilloja ata të bëjnë punën e tyre””, përfundon përgjigjja e Stanos. /rtk

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *