Konfliktet mes të rinjve jo rrallëherë eskalojnë në përleshje fizike e përdorim të mjeteve të mprehta, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Motivet shpesh dalin të jenë banale dhe lidhen me probleme për të cilat ata nuk arrijnë të merren vesh dhe për pasojë futen në sherr. Një rast i tillë ka ndodhur muajin e kaluar në Ferizaj, por i dyshuari është kapur tek sot.
Bëhet fjalë për J.I., i moshës së mitur, i cili është arrestuar gjatë ditës së sotme, pasi ishte shpallur në kërkim, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Nga Prokuroria kanë bërë me dije se pasi i dyshuari është kapur, i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin që kishte ndodhur më 28 shkurt.
Ai po dyshohet se ka tentuar ta vras një 19-vjeçar, të cilin e kishte therur me thikë, duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka kishte përfunduar në spital.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 24 orë, kurse veprimet e tjera do të ndërmerren brenda aftit ligjor.