Berisha tha se ndaj Kurtit e Osmanit mund të lëshohet “certifikatë e shëndetit mental”, Konjufca ia tërheq vërejtjen

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka thënë se mënyra se si po reagojnë kryeministri Albin Kurti, deputetët e LVV-së si dhe presidentja Vjosa Osmani për zhvillimet e fundit, “na imponon nevojën që në Kosovë ta aplikojmë kartonin shëndetësor që të forcohet roli i mjekësisë në shtet-bërje sikur që është në Amerikë”.

Sipas tij, atje mjekësia çon në spital presidentin nëse shfaq reagime të tilla apo simptome për të cilat thotë se “i kemi parë edhe te kryeministri, presidentja e te ministrja e drejtësisë, që po shfaqin sindromën “pseudologia fantastica”.

“Pseudologia fantastica” është një sjellje kronike në të cilën personi gënjen në mënyrë të zakonshme ose të detyruar.

Berisha deklaroi se ka dyshime që ndaj Kurtit e Osmanit mund të lëshohet certifikata e shëndetit mental “për ta ushtruar detyrën e tyre shtetërore”.

“S’jeni të parët e as s’do të mbeteni të fundit, por shkenca mjekësore e njohin si pacientë këtë kategori kur kështu kundërthënshëm i artikulojnë vendimet e tyre, veç referojuni deklaratave të lidershipit me zhvillimet e fundit, kam shumë dyshime se mund t’iu lëshohet certifikata e shëndetit mental për ta ushtruar detyrën shtetërore. Kjo do të ishte edhe më e pamundur nëse në Kosovë do ta kishim apo aplikohej ligji për lustracionin dhe dekriminalizimin e institucioneve”, tha ai.

Për këto deklarata, Berisha mori një vërejtje nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Kryekuvendari kërkoi që deputetët të kenë kujdes kur flasin për konceptin e shëndetit mendor, përcjell Paparaci.

“Të nderuar deputetë, ju kërkoj që të keni kujdes kur e përdorni konceptin e shëndetit mental dhe në çfarë kuptimi dhe në çfarë konotacioni. Jo kujt i referohuni por në mënyrën se si e përdorni konceptin e shëndetit mental”, iu drejtua Konjufca, ligjvënësit opozitar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *