“BE-ja po shkon në drejtim të individualizmit të përgjegjësisë në rastin e sulmit terrorist në Banjë, po anashkalon Serbinë e Vuçiqin”

Marrë për bazë rrjedhën e ngjarjeve pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit dhe narracionin e zyrtarëve të ndryshme të Bashkimit Evropian, ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, beson se qasja e Unionit është duke shkuar në drejtim të individualizmit të përgjegjësisë në nivel të zyrtarëve të institucioneve të Serbisë, duke anashkaluar përgjegjësinë shtetërore të Beogradit zyrtar dhe të Vuçiqit në rastin e sulmit terrorist të 24 shtatorit.

“Një gjë e tillë është asgjë më shumë dhe as më pak se sa trimërimi i shtetit serb për ta destabilizuar, jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin”, thotë Peci në një postim në rrjetin e tij social në Facebook.

Kësisoj, drejtori ekzekutiv i KIPRED-it, thekson se në këtë fazë duhet të iniciohet sa më shpejtë një hetim ndërkombëtarë, në atë mënyrë për të zbardhur këtë çështje.

“Kjo duhet për t’u larguar nga filozofia e pritjeve, kur dihet se ato pritje nuk do të sjellin asgjë, përpos blerjes së kohës nga ana e Beogradit. Sot, koha është elementi më i shtrenjtë për paqen dhe sigurinë në rajon”, ka shtuar ai.

Çfarë ndodhi?

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiq – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiq – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiq u arrestua të martën nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake.

Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *