BE: Ditëve në vijim nisim me hapat e parë të zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë

Çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht dakordimi i arritur mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, më 18 mars në Ohër, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, ishte pjesë e diskutimit të liderëve të Bashkimit Evropian (BE) në samitin e mbajtur të enjten.

Shtetet e BE-së në takimin e së enjtes, sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë shpejtë detyrimet që rrjedhin nga takimi i Ohrit.

“Liderët evropianë në takimin e tyre në Bruksel këtë të enjte i bënë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë shpejt dhe me mirëbesim detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga takimi i Ohrit. Të dyja palët ranë dakord në Ohër që të fillojnë menjëherë zbatimin e të gjitha dispozitave të Marrëveshjes dhe Aneksit. Teksti i rënë dakord thotë qartë: “Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht të respektojnë të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe këtë aneks””, ka thënë Stano në një përgjigje për KALLXO.com.

Stano thekson se në ditët në vijim, institucionet e BE-së do të nisin hapat e parë të fazës së zbatimit të marrëveshjes.

“Në ditët në vijim, tani me miratimin nga Këshilli Evropian (Udhëheqësit e të 27 Shteteve Anëtare) institucionet e BE-së do të iniciojnë procesin për operacionalizimin e hapave të parë të fazës së zbatimit së bashku me Palët. Siç tha Përfaqësuesi i Lartë të enjten: ‘Unë do t’i këshilloja ata të bëjnë punën e tyre’”, tha Stano.

Më tej, Stano shtoi se shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell ka informuar liderët evropianë për bisedimet e Ohrit dhe theksoi se Kosova dhe Serbia duhet të përmbushin atë se për çka janë pajtuar, duke shtuar se “çdo spekulim për nënshkrimin apo vlefshmërinë e Marrëveshjes është i kotë”.

Zëdhënësi i BE-së shton se Kosova dhe Serbia do të jenë të detyruara kontraktualisht të zbatojnë dispozita nëse dëshirojnë të bëjnë përparim drejt BE-së, duke theksuar se “moszbatimi do të thotë të braktisësh rrugën drejt BE-së”.

“Dispozitat e Marrëveshjes (përfshirë Aneksin) tani do të inkorporohen në Kapitullin 35 për Serbinë dhe në agjendën e Grupit Special për Normalizimin për Kosovën. Kjo do të thotë se palët do të jenë të detyruara kontraktualisht të zbatojnë dispozitat nëse dëshirojnë të bëjnë përparim drejt BE-së. Moszbatimi do të thotë të braktisësh rrugën drejt BE-së”, ka deklaruar Stano.

Më 18 mars, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *