Barrikadat nuk bllokuan veç rrugët, i ngecur mbetet edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë

Situata në veri të Kosovës e ka bllokuar dialogun Kosovë-Serbi. Në partinë në pushtet, akuzojnë Serbinë se përmes strukturave kriminale atje po përpiqet të krijojë rrethana që justifikojnë mospjesëmarrjen e saj në dialog.

Mirëpo, nga opozita dhe shoqëria civile ngrehin shqetësime se për uljen e tensioneve në veri dhe largimin e barrikadave, Kosova do të përfundojë në një raund të ri të dialogut në Bruksel për çështje të brendshme. Në anën tjetër, nga Bashkimi Evropian, thonë se janë të angazhuar për de-eskalimin e situatës në veri, por nuk tregojnë nëse do të thërrasin palët në diskutim për këtë çështje.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress, se veprimet që po ndodhin në veri të Kosovës nga strukturat kriminale të dirigjuara nga Serbia, po shpërfaqin përpjekjet e saj për të minuar procesin e dialogut dhe për të pamundësuar arritjen e marrëveshjes mbi bazën e planit franko-gjerman.

“Veprimet që po ndodhin në pjesën veriore të Kosovës nga strukturat kriminale të dirigjuara nga Beogradi zyrtar, në njërën anë manifestojmë pafuqinë e këtyre strukturave kriminale të Serbisë, ndërsa në anën tjetër po shpërfaqin përpjekjen e Serbisë për të minuar procesin e dialogut dhe pamundësuar marrëveshjen finale me njohje reciproke në qendër. Serbia po përpiqet të krijojë rrethana të tilla që justifikojnë mospjesëmarrjen e saj në dialog dhe për të shmangur marrëveshjen. Veprimet janë të pashpresa, dëshpëruese ato po lexohen saktë edhe nga bashkësia ndërkombëtare, përditë e më shumë”, deklaron Rrustemi.

Mirëpo, deputetja opozitare e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, thotë se Qeveria e Kosovës në mungesë të koordinimit me aleatët ndërkombëtarë e ka sjellë vendin në një situatë, ku për territorin e brendshëm që duhet të ushtrohet sovranitet, e fut në diskutim me Serbinë.

Situata në veri është mjaft fragjile, ne jemi shumë të vetëdijshëm si PDK dhe opozitë për këtë punë. Do të thosha, kjo është një pikë ku nuk do të kishim dashur të shohim as qeverinë dhe as shtetin tonë, pasi flitet për territorin dhe qytetarët tanë që jetojnë në Kosovë. Vlerësoj se zotëri Kurti, para se të merrte vendime, para se të vinte në këtë pikë me veriun është dashur që patjetër të kishte koordinim të ngushtë me ShBA-në dhe vendet anëtare të BE-së. Duke mos pasur koordinim dhe epilog sa i përket kësaj teme ne jemi këtu në një status-qou, ku për territorin tënd të brendshëm në vend që të ushtrosh sovranitet e fut në diskutim me Serbinë. Kjo është një çalim shumë i madh i qeverisë tregon një mosdije dhe mungesë të strategjisë”, thekson ajo.

Ndërkohë, Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë për KosovaPress, se situata në veri e ka penalizuar diskutimet për planin franko-gjerman për dialogun.

Megjithatë, ai shton se nëse nuk largohen barrikadat në veri nga KFOR-i apo serbët lokalë atje nuk i largojnë vetë, atëherë do të duhet një raund i negociatave në Bruksel për të zgjidhur këtë çështje, e cila sipas tij, është një fatkeqësi.

“Kemi një bllokadë de-fakto të pjesës veriore me anë të barrikadave. Po shpërfaqet pozicioni i Serbisë e cila nuk dëshiron të ketë një dialog të mirëfilltë, në kuptimin që Kosova të ushtrojë sovranitetin e saj ligjor dhe kushtetues në pjesën veriore. Në një formë e ka penalizuar edhe dialogun Kosovë-Serbi me këto bllokada. Konsideroj se kjo çështje nëse nuk zgjidhet nga ana e KFOR-it dhe institucioneve në Kosovë me largimin e barrikadave në mënyrë fizike ose largohen vet nga faktori serb. Atëherë do të duhet një raund i negociatave që do të ketë temë edhe largimin e barrikadave që është fatkeqësi, pasi është mirë që energjitë të drejtohen drejt marrëveshjes finale”, thotë ai.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje për KosovaPress, thotë se janë të angazhuar plotësisht në lehtësimin e de-eskalimin e situatës në veri.

Ndërsa, nuk tregoi nëse do të mbajnë ndonjë raund të ri të negociatave në Bruksel për këtë çështje.

“BE-ja, së bashku me partnerët e saj vazhdon të angazhohet plotësisht në lehtësimin e de-eskalimit të situatës në veri të Kosovës në mënyrë që të sigurohet një mjedis i sigurt, i qetë, dhe liria e lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë. Përfaqësuesi i lartë, Borrell ishte shumë i qartë javën e kaluar se barrikadat duhet të hiqen. Borrell dhe Lajçak janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë akterët dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë, pikërisht siç e ka përshkruar tashmë Përfaqësuesi e Lartë. Kur është fjala për takimet e radhës të dialogut, si gjithmonë, ne do të njoftojmë nëse ka dhe kur të jetë e përshtatshme”, thuhet në përgjigjen e tij për KosovaPress.

Po bëhen dy javë që kur janë ngritur barrikadat në veri, njëkohësisht edhe mbyllur dy pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.

Serbët lokalë atje bllokuan rrugët, pas arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet për kryerjen e veprave terroriste dhe sulm ndaj rendit kushtetues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *