Ballkani po mbytet: Ajri i ndotur shkakton mijëra vdekje në rajon

Kryeqendrat e Ballkanit Perëndimor edhe këtë stinë dimri kryesojnë listat e qyteteve më të ndotura në botë. Shkupi, Sarajeva, Prishtina dhe Beogradi ishin ndër qytetet më të ndotura në botë në fund të dhjetorit dhe fillim të janarit, ndërsa kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut kryesoi listën botërore për ajrin e ndotur për një periudhë.

Cilësia e ajrit konsiderohet si faktor i rëndësishëm për shëndetin e përgjithshëm të njerëzve. Statistikat tregojnë se ndotja paraqitet si faktor për 6 deri në 10 nga 100 vdekje në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Maqedonia e Veriut kryeson për numrin e vdekjeve të ndikuara nga ndotja

Sipas të dhënave nga Our World in Data, faqe e specializuar e statistikave e mbështetur nga Universiteti i Oxfordit, Maqedonia e Veriut kryeson në rajon për nga numri i vdekjeve të ndikuara nga ajri i ndotur. Sipas kësaj statistike, ndotja ka ndikuar si faktor për vdekjen e rreth 10.7% nga numri i përgjithshëm i vdekjeve në vend.

Bosnjë e Hercegovina vjen e dyta me rreth 9.5% të vdekjeve të ndikuara nga ndotja. Përqindje të lartë kanë edhe Serbia (8.6%) dhe Mali i Zi (8%).

Në Shqipëri, rreth ndotja ka ndikuar në mbi 6.5% të të gjitha vdekjeve.

Për krahasim, ndotja e ajrit ndikon në rreth 4.8% të vdekje mesatararisht në rajonin e Evropës.

Si ndikon ajri i ndotur në shëndet?

Gjatë periudhave të ndotjes enorme, në ajër mbizotërojnë grimcat PM2.5 dhe PM10. Këto janë grimca të imëta që klasifikohen sipas madhësisë dhe janë 2.5 mikrometra dhe 10 mikrometra në diametër respektivisht. Si krahasim, një fije floku është rreth 100 mikrometra, kështu që në gjerësinë e një fije floku mund të akomodohen rreth 40 grimca PM2.5.

Duke qenë kaq të vogla, grimcat depërtojnë lehtësisht në mushkëri. Ato mund të kenë përbërje të ndryshme kimike, të dëmshme për mushkëritë dhe shëndetin e përgjithshëm.

Ekspozimi ndaj këtyre grimcave mund të sjellë pasoja të rrezikshme për shëndetin, si për shembull:

· Efekte toksike si pasojë e absorbimit të elementeve toksike në gjak (plumbin, kadmiumin, zinkun etj)

· Efekte alergjie ose hipersenzitiviteti

· Infektime të ndryshme

· Fibroza (nga asbesti, kuarci)

· Kancer (asbesti, kromi)

· Rritje të simptomave respiratore, përkeqësim i astmës dhe vdekje e parakohshme.

Rreziku është më i lartë për grupet më sensitive, sikurse të moshuarit ose fëmijët.

Edhe gjatë këtij dimri, institucionet shëndetësore në rajon gjatë periudhave të ndryshme kanë rekomanduar qëndrim në shtëpi me dritare të mbyllura, sidomos për grupet më sensitive dhe gratë shtatzëna.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *