Avni Dehari, i ka kushtuar një poezi djemve të tij, Astrit dhe Arbnor Deharit, të cilët kanë vdekur gjatë viteve, 2014 dhe 2016.
Dy djemtë thotë Avni Dehari, humbën jetën në rrethana të errëta.
Avni Dehari është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes.
PESHA E DHEMBJES
(Bijve të mi, që humbën jetën në rrethana të errëta:
Arbënori më 2014 dhe Astriti më 2016)
Atdheu dhe alfabeti
Kurorë nderi vunë shkronjën A.
Për hapat drejt agimeve të purpurta,
A-ja brerore edhe në emrat Tuaj!
E rëndë dhembja,
Sa pesha e Alpeve Shqiptare,
Sa dheu i gjakut tonë!
I thellë hidhërimi,
Sa thellësia e Adriatikut,
E Jonit valëshumë,
E oqeanit pa fund!
Krahëhapur bujaria,
Si fushat e gjera,
Si rrafshnaltat e bjeshkëve,
Si shqiponja jonë e shenjtë
Në qiellin e paanë!
Hijerëndë trimëria,
Si pyjet e dendura!
Si Moti i Madh
Në oqeanin e kujtesës sonë!
E lartë krenaria,
Sa kreshtat e Sharrit,
Sa kupa e qiellit mbi tonin Atdhe!
Det i trazuar pikëllimi,
Përplot valë ngushëlluese,
Përplot valë freskie
Cep më cep zemërdhembshurës sonë,
Për Ju që hodhët hapin
Me shkronjën e parë të ATDHEUT!
Avni Dehri,
Prishtinë, 11. 9. 2019