Avokati i familjes së 3-vjeçarit që dyshohet se u sulmua fizikisht në çerdhen “Gëzimi ynë”, Nasuf Hasani, tha se me prindërit e fëmijut kanë dhënë një intervistë në polici, ku pretendojnë se edukatoret kanë kryer vepër penale.
Hasani tha se presin nga prokuroria që të veprojë sipas procedurave, teksa shtoi se edukatoret, me aq sa kanë parë, janë ende duke u marrë në intervistë nga ana e policisë.
“Provat qe i kanë grumbulluar nga kopshti, tash duhet t’i dërgojnë në prokurori dhe pastaj prokurori vendos për sa i përket përkufizimit të veprës penale”.
“Ne konsiderojmë se punonjëset i kanë bërë së paku tri vepra penale dhe në bazë të provave, pa asnjë mëdyshje ato kanë kryer vepër penale”, tha Hasani, njofton Klankosova.tv.
Më tej, ai tha se fëmija i sulmuar fizikisht ka trauma dhe se ishte i izoluar nga fëmijët e tjerë gjatë mësimit në kopsht.
“Ka qenë hera e parë, dhe vlen të theksohet se fëmija ka trauma, sa i përket kopshtit është e pamundur të vendosim që të dërgohet në kopsht. Fëmija tregon se ka qenë edhe i izoluar prej fëmijëve të tjerë, për shkak të hiperaktivitetit që e ka”.
“Konsideroj se sipas punëtorëve socialë, është e detyrueshme që fëmija t’i nënshtrohet një trajtimi nga ana e psikologut, pasi është në gjendje jashtëzakonisht të keqe”.