Avokati i serbit të dyshuar për krime lufte: Kurti do ftohet si dëshmitar mbrojtës

Gjatë seancës për serbin e arrestuar për krime lufte në Kosovë, Dragisha Milenkoviç, avokati i këtij të fundit ka thënë se është rënë dakord që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të jetë dëshmitar i mbrojtjes.

“Albin Kurti ishte paraburgosur në kohën kur i dyshuari Dragisha ishte duke punuar në burgun e qarkut në Prishtinë. Nga ana e tij, ai duhet të thotë dy fjalë për besueshmërinë e të dyshuarit dhe sjelljen e tij ndaj kryeministrit aktual dhe i paraburgosuri i atëhershëm Albin Kurti, të cilit i ka bërë shoqëri gjatë qëndrimit në qeli, i ka sjellë libra për të lexuar, me të cilin ai kaloi shumë kohë duke biseduar”, tha avokati Dejan Vasiç, raporton mediumi serb Danas.

Avokati pret mbështetjen e prokurorisë speciale lidhur me këtë propozim dhe bashkëpunimin e mirë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilit nesër përmes zyrës së Qeverisë së Kosovës do t’i dërgojë kërkesë për këtë dëshmi, sipas AP, transmeton Paparaci.

“Shpresoj që kryeministri disi ta mbajë mend mirë atë periudhë, duke qenë se ato ishin momente dramatike në jetën e tij dhe besoj se Dragisha do t’i kujtohet. Nga ana ime do të përgatis dokumentacion nga ajo kohë që të mos ketë mosmarrëveshje në lidhje me identitetin e të dyshuarit”, shtoi Vasiç.

“Jam absolutisht i sigurt se kryeministri do të jetë i lumtur të shfaqet dhe shpresoj vetëm që kujtimet e tij për atë periudhë të jenë ende të freskëta”.

Avokati vuri në dukje edhe gjendjen e keqe shëndetësore të klientit të tij.

“Ai u mor në paraburgim me sëmundje kronike, veçanërisht të lidhura me diabetin dhe problemet me shikimin”.

Dragisha Milenkoviç është arrestuar më 21 qershor të këtij viti.

Prokuroria Speciale e akuzon Milenkoviç-in për krime lufte kundër popullatës civile në periudhën nga viti 1998 deri në vitin 1999.

Për shkak të arrestimit të Dragisha Milenkoviçit, me ditë të tëra ka pasur protesta para stacionit policor në Graçanicë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *