Avokati Besnik Berisha ka paralajmëruar ankesë ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin aktgjykim fajtor është shpallur klienti i tij Shaban Gogaj.
Gogaj është dënuar sot me 7 vjet e gjashtë muaj burgim për vrasjen e Agonis Tetajt në shtator të vitit 2018, por me këtë vendim nuk është pajtuar avokati Besnik Berisha.
Berisha e ka cilësuar të lartë dënimin prej 7 vitesh, ndërsa ka paralajmëruar ankesë ndaj këtij aktgjykimi.
“Do të bëjmë ankesë për shkak të lartësisë së dënimi, klienti është deklaruar fajtor për vrasjen nga pakujdesia dhe synojmë të apelojmë këtë vendim”, ka thënë Berisha.
I ndjeri, Agonis Tetaj, ishte qëlluar me armë zjarri më 23 shtator të vitit 2018 në vendin e tij të punës nga Shaban Gogaj, djali i pronarit të firmës ku ishte angazhuar tashmë i ndjeri.
Gjykata Themelore në Pejë më 14 tetor 2022 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj, duke e dënuar kështu me 7 vite e 6 muaj burgim për vrasje nga pakujdesia të Agonis Tetajt.