I emëruari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
Escobar ka folur për dialogun, për Asociacionin dhe për pranimin e aplikimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Escobar ka thënë se prezantimi i draft-statutit për Asociacion ishte një progres i vogël në bisedime, teksa propozimin e Kurti e ka cilësuar si serioz, njëjtë siç e ka cilësuar edhe propozimin e Ekipit Menaxhues.
“Ka kaluar vetëm një muaj, tash po e diskutojmë implementimin. Kemi një progres të vogël në propozimet e shkruara nga të dyja palët për Asociacionin. Mendoj që kjo është ndër herët e para, që kemi dëgjuar nga Kosova për vizionin e tyre për Asociacionin, ata e kanë një.” – ka thënë ai në një konferencë të mbajtur online.
“Mendoj se është serioz, por gjithashtu mendoj se ai i paraqitur nga ekipi menaxhues është serioz. Tani, nuk më takon mua të vendos se çfarë është serioze. Nuk është një proces i lehtësuar nga Amerika; është një proces i lehtësuar nga evropianët. Dhe ajo që është e rëndësishme këtu është që të dyja palët normalizojnë marrëdhëniet e tyre, të harmonizojnë gjithashtu strukturat e tyre me Bashkimin Evropian në përgatitje për anëtarësimin eventual në Bashkimin Evropian.” – u shpreh ai.