Asnjë projekt i ri për Gjakovën, “Ndarje e padrejtë buxhetore, edhe ne jemi Kosovë”

Komuna e Gjakovës e konsideron të padrejtë ndarjen e buxhetit për vitin 2024 nga Qeveria e Kosovës. Me këtë projektbuxhet që është miratuar në parim nga Kuvendi i Kosovës nuk është vlerësuar të financohet asnjë projekt i ri në këtë komunë, kështu duke i vazhduar ato paraprake.

Nga ky institucion komunal vënë në pikëpyetje se si janë ndarë mjete për financim të projekteve të reja në komunën e Shtimes, apo si ka gjetur përkrahje Komuna e Gjilanit që të kryej shpenzimet vetanake me buxhet të shtetit. Po ashtu, edhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu thotë se miratimi i këtij projektbuxheti favorizon komunat që qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa ndëshkon komunat e tjera.

Në një prononcim për KosovaPress, drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjakovës, Durim Halilaj thotë se janë të pakënaqur me buxhetin e ndarë nga qeveria, me të cilin nuk është planifikuar asnjë projekt i ri për ta.

Ai thekson se punimet në rrugën Dollc-Gjakovë kanë nisur që nga viti 2019, derisa janë paraparë ‘vetëm 10 milionë euro në vitin fiskal 2024’, që sipas tij duhen edhe dy vjet të tjera të përfundohet projekti.

“Sa i përket buxhetit të shtetit që miratohet nga qeveria e Republikës së Kosovës, sigurisht që draft buxhetin e kemi në email dhe e kemi analizuar. Jemi jashtëzakonisht të pa kënaqur, për shkak se komuna e Gjakovës nuk e ka asnjë projekt të ri, të futur në buxhetin e vitit fiskal 2024. Ndërsa, të gjitha projektet që përcaktojnë apo që vijnë nga buxheti i shtetit në komunën e Gjakovës janë projekte në vazhdimësi. Vlen të ceket se rruga Dollc-Gjakovë e nisur që nga viti 2019 është paraparë vetëm 10 milionë euro në vitin fiskal 2024, ndërsa duhet edhe dy vjet të tjera pasuese që të përfundohet projekti. Jashtëzakonisht qytetarët e komunës kanë të drejtë të hidhërohen për këtë pjesë, për shkak se projektet në vazhdimësi, po shkon duke u shtyrë, duke iu ditur afati se kur do të përfundojnë këto projekte të financuara nga ministritë e linjës”, thotë Halilaj.

Po ashtu, Halilaj potencon se janë të irrituar se si qeveria aktuale ka vlerësuar që “një Komunë e vogël si Shtimja të financohet me projekte të reja’, ndërsa komuna e Gjakovës jo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *