Janë bërë një javë nga sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës, që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, ku i vrarë mbeti rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagos zyrtari tjetër policor Alban Rashiti.
Që nga ajo e ditë (e diel) e deri më tani Policia e Kosovës ka vazhduar me operacionet e saja ku ka konfiskuar arsenal armësh në zonën ku ndodhi sulmi, duke përfshirë këtu: granatahedhës, antiplumb, karikator me fishekë, kapela ushtarake, dorëza, pushkë gjuetie, snjaper, radiolidhje etj.
Të gjitha këto sipas Policisë së Kosovës i takonin grupit të armatosur terroristë i cili përbëhej nga më shumë se 30 veta, të cilët pas sulmit u fshehën në Manastirin e Banjskës.
Përveç armëve policia konfiskoi edhe një veturë rëndë të blinduar, dy vetura dhe një makineri e rëndë (bager).
Të dielën e 1 tetorit, Policia e Kosovës dhe MPB-ja shpalosën fakte të reja që ndërlidhen me sulmin terrorist të 24 shtatorit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla shpalosen detaje të tjera lidhur me gjetjen në vazhdimësi të armëve të ndryshme, organizimin, trajnimin dhe përgatitjen e grupit terrorist në malet e Serbisë, për të sulmuar territorin dhe Policinë e Republikës së Kosovës.
Nga dëshmitë e konfiskuara prej grupit terrorist, posaçërisht nga dronët e tyre janë nxjerrë pamje reale ku shihen anëtarët e grupit terroristë duke kryer përgatitje, trajnime si dhe duke stimuluar operacione të sulmeve të ndryshme.
Sveçla potencoi se “çdo ditë kemi dëshmuar me fakte të patjetërsueshme lidhjen e shtetit serb, Vuçiqit, me sulmin në fshatin Banjskë të Zveçanit. Ky organizim terrorist kishte vetëm një qëllim, aneksimin e veriut të Republikës së Kosovës. Në këtë tentim-aneksim të veriut të Kosovës, janë të angazhuar drejtpërdrejt Presidenti Aleksandar Vuçiq, Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviq dhe shefi i komandës së Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsilloviq
https://www.facebook.com/watch/?v=286310730870883
Ndërsa drejtori i PK-së, ndër të tjera theksoi se, “bazuar në të dhënat e siguruara rezulton se qendra e grupit terrorist, ka qenë Kopauniku në Serbi, përkatësisht hapësira që është pronë e Millan Radoiçiq, ndërsa ushtrimet ushtarake, janë mbajtur në një ndër poligonet më të mëdha të ushtrisë serbe, që ndodhet në vendin e njohur si Pasuljanske Livade dhe atë së paku katër ditë para sulmit në fshatin Banjskë. Sipas të dhënave të siguruara në këtë fazë të hetimit është vërtetuar ndërlidhja e qëndrimit të grupit terrorist në Kopaunik, Pasuljanske Livade (poligoni i ushtrisë serbe) dhe në Banjskë në Kosovë. Poligoni Posuljanske Livade është terren stërvitor ushtarak i ushtrisë serbe që ndodhet në territorin e komunave Paraqin, Despotovac dhe Boljevac në Serbi”.
Sqarimet e videove, armatimit dhe sulmit janë si në vijim:
Video 1
Incizimet e datës 26 gusht 2023 ku paraqiten imazhe nga Kopauniku-Serbi, ku shihen resortet dhe hotel Grey që është prone e Millan Radoiçiqit.
Video 2
Incizimet i përkasin datës 2 shtator 2023 po ashtu ne Kopaunik afër hapësirave pronë e Milan Radoiçiq, këto imazhe paraqesin testimin e veshjeve të cilat janë kundër kamerave termike. Pamjet tjera paraqesin ushtrimet finale të grupit terrorist në poligonin e ushtrisë serbe i njohur si Pasuljanske Livade.
Video 3
Sipas pamjeve të datës 20 Shtator 2023 duket se ushtrimet taktike operative për sulme ndahen në disa grupe në drejtime të ndryshme të pajisur me armë të gjata dhe pajisje ushtarake. Këtu shihen mjetet motorike, ku sipas pamjeve shihet se grupi ka simuluar sulmin dhe simulohen edhe plagosjet e anëtareve të grupit terrorist si dhe dhënia e ndihmës se parë.
Video 4
Në ketë video të datës 20 Shtator 2023 paraqiten pamje ku grupi ka hasur në rezistencë dhe ku simulohet mbështetja me mjete te blinduara (HUMVEE).
Video 5
Këto pamje po ashtu të datës 20 Shtator 2023 janë vazhdim i pamjeve paraprake ku vërehet se automjeti luftarak (HUMVEE) ka ndaluar. Në vijën e parë shihet se ka inskenime/luftime ndërmjet gupeve . Vërehet se (HUMVEE) është duke mbështetur vijën e parë ndërsa luftimet e stimuluara nga grupi nën mbështetjen e (HUMVEE), janë duke shkëmbye zjarre. Si pjesë e këtij ushtrimi ushtarak të grupit terrorist vërehen edhe automjete (HUMVEE) dhe dyshohet se njeri nga automjetet e konfiskuar nga Policia e Kosovës në sulmin terrorist të datës 24 Shtator 2023 është përdorur në të njëjtin ushtrim.
Në prezantimin e këtyre fakteve të reja, u tha se sulmi fillestar i grupit terrorist sipas të dhënave të siguruara është bërë fillimisht me eksploziv, ku si pasoj e tij ka ndërruar jetë Rreshteri Policor i stacionit policor të Zveçanit, dhe pas këtij sulmi me eksploziv kishte filluar njëkohësisht edhe sulmi me armatimin të rëndë në drejtim të zyrtarëve tjerë policorë që ishin në vendngjarje.
“Përmes videos dëshmohen sulmet fillestare të grupit terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Sulmet siç shihen janë bërë me armë të ndryshme duke filluar nga zolla dhe armë tjera të rënda”, kanë njoftuar nga Policia e Kosovës.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti i cili ka deklaruar se sulmet e serbëve në fshatin Banjskë të Zveçanit u kryen nën planifikimin e plotë të shtetit të Serbisë.
Tutje Kurti ka shtuar se, terroristët ishin trajnuar në Pasuljanske Livade, që është një nga bazat kryesore të ushtrisë serb.
“Terroristët që kryen sulmet janë trajnuar në Pasuljanske Livade, një nga bazat kryesore të ushtrisë serbe. 4 ditë para sulmeve. Stërvitje të tjera u zhvilluan në bazën e Kopaonikut. Sulmet gëzonin mbështetjen dhe planifikimin e plotë të shtetit serb”, ka shkruar Kurti.
https://x.com/albinkurti/status/1708530372005273787?s=20
Rreshteri Afrim Bunjaku u vra gjatë detyrës zyrtare rreth orës 03:00 të 24 shtatorit.
Pas vrasjes së policit, rreth 30 persona të armatosur rëndë dhe të maskuar u fshehën në Manastirin e fshatit Banjska të Zveçanit, për të vazhduar sërish me sulmet ndaj Policisë së Kosovës.
Nga gjuajtjet me armë zjarri u vranë edhe tre sulmues serbë. Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës u dënua fuqishëm nga ndërkombëtarët.