Ushtarët e FSK-së konsiderohen si persona me vlera të larta personale e profesionale, që respektojnë shtetin, familjen dhe kolegun, por duket se një nga ata ka qasje më ndryshe ndaj familjes. Bëhet fjalë për ushtarin Sh.G nga Podujeva, i cili është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, nën dyshimet se ka ushtruar dhunë në familje, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit nga Prokuroria kanë bërë me dije se siç ndodh shumë shpesh, edhe këtë herë rasti është raportuar disa ditë pasi ka ndodhur. Dhuna që dyshohet se ka ushtruar pjesëtari i FSK-së u zbulua nga bashkëshortja e tij, e cila dje ia mësyu Policisë, për të denoncuar sulmin nga burri.
Bazuar në dëshminë e viktimës, të dhënë para hetuesve policorë ngjarja ka ndodhur më 18 tetor, ku për disa orë, i dyshuari ka sulmuar fizikisht bashkëshorten, duke i shkaktuar lëndime trupore nëpër pjesët e trupit. Ndonëse nuk dihet nëse viktima nuk e njoftoi Policinë nga frika apo ka ndonjë arsyetim tjetër, posa është raportuar rasti, Policia është vënë në lëvizje.
Pjesëtari i FSK-së është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër tij, me ç’rast ka dhënë versionin e ngjarjes, në prani të avokatit të tij.
Pas mbledhjes së informacioneve të para dhe përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhunë në Familje”.
Në lidhje me rastin, burimet thonë se janë njoftuar edhe zyrtarët kompetentë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.