Ish-presidenti Donald Trump ka mbërritur në zyrën e prokurorit të qarkut të Manhattanit në Manhatanin e poshtëm, ku ai është i arrestuar dhe po qëndron në paraburgim policor.
Kështu po raporton CNN. Sipas këtij raportimi, Trump pritet t’i merren gjurmët e gishtërinjve si pjesë e arrestimit.
Avokatët e Trump kanë thënë se ai do të deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzat për një pagesë që dyshohet t’ia ketë bërë yllit të pornografisë, Stormy Daniels, në përpjekje e sipër për të blerë heshtjen e saj, për një aferë të supozuar.
Pagesa besohet është kryer në mënyrë të ligjshme, mirëpo supozohet se Trump e ka regjistruar atë si shpenzim biznesor. Falsifikimi i regjistrave biznesorë në Nju Jork, përbën shkelje.
Në një mesazh të dërguar përmes postës elektronike, të titulluar “E-maili im i fundit para arrestimit”, ai u kërkoi përkrahësve të tij të ndihmojnë “në shpëtimin e Amerikës” duke bashkangjitur një link për mbledhje të fondeve.
Ai e quajti ditën e sotshme “një ditë tragjike për Republikën tonë”, teksa shtoi se SHBA-ja po shndërrohet në një “vend marksist të botës së tretë”.
Paraqitja e Trumpit para gjykatësit Juan Merchan pritet të jetë relativisht e shkurtër – Trump do t’i japë shenjat e gishtërinjve, do t’i dëgjojë akuzat kundër tij dhe do të deklarohet, siç pritet, i pafajshëm.
Merchan ka vendosur që kamerat televizive nuk do të lejohen në sallën e gjyqit.