Arifi e quan Kurtin tradhtar: Me Marrëveshjen e Ohrit varrosi aspiratën të jemi pjesë e Kosovës

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për neglizhencë dhe mosdhënie të mbështetjes së duhur ndaj shqiptarëve në Luginë.

Arifi e quajti Kurtin tradhtar të kombit, pasi me marrëveshjen e Ohrit, sipas tij, varrosi aspiratën e shqiptarëve të Luginës për t’u bashkuar me Kosovën.

“Prishtina e ka obligim politiko-moral që brenda procesit të dialogut të kujdeset njësoj si Serbia kujdeset për serbët në Kosovë. E kemi në një anë një Kosovë e cila minoritetin e saj në anën e Serbisë e neglizhon totalisht”.

“Tre viteve të fundit mundohet të përçajë në vazhdimësi me ato raporte në Luginën e Preshevës që pak më parë i patët në emision. Nga ana tjetër kemi një Serbi që për serbët në Kosovë investon rreth 800 milionë dollarë në 20 vitet e fundit. Investon t’i mbajë aty dhe të mbështesë tezën e saj që Kosova është Serbi”.

Tutje, Arifi tha se gjatë 20 viteve të fundit, Kosova ka treguar jo vetëm neglizhencë por edhe një diletantizëm politik, duke pasur obligim moralo-politik për shqiptarët në anën tjetër të kufirit.

“Unë nuk e njoh një politikan që ka bërë më shumë kompromise vitet e fundit, ka pranuar Asociacionin që e ka luftuar 10 vitet e fundit, ka pranuar që Lugina mos të përfshihet në marrëveshjen e Ohrit dhe ka hequr dorë nga reciprociteti”.

“Për ne në Luginën e Preshevës Albin Kurti është tradhtar kombëtar, pasi ka varrosur me marrëveshjen e Ohrit që ne të jemi pjesë e Republikës së Kosovës”, tha Arifi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *