Me gjithë lobimin, me anë të letrave dërguar vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në këtë trup mbetet përfundimisht jashtë agjendës së punimeve të samitit që do të mbahet më 16 e 17 maj. Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, ka numëruar si arsye për këtë mungesën e aktivitetit dhe të bashkëpunimit të Qeverisë së Kosovës. E në Ministrinë e Jashtme nuk treguan për veprimet e ndërmarra rreth shtyrjes përpara të aplikacionit të Kosovës
Kosova nuk pritet të jetë në agjendën e Samitit të Këshillit të Evropës as në përvjetorin e parë të dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim në këtë trup.
Samiti i kryesuar nga Islanda do të mbahet më 16 dhe 17 maj, e Kosova e pati deponuar aplikimin më 12 maj të vitit të shkuar.
Përfaqësues të shoqërisë civile, që funksionojnë në kuadër të Këshillit, e kanë marrë si çështje të kryer mostrajtimin e aplikacionit. E Isuf Halimi, nga Qendra Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i numëroi mungesën e aktivitetit dhe të bashkëpunimit nga Qeveria e Kosovës mes arsyeve që e pamundësuan përfshirjen në rend dite.
“Kosova nuk është në agjendën e Këshillit të Ministrave që do të mbahet në Islandë për arsye të ndryshme politike, jopolitike, çështja e dialogut, mungesa e aktiviteteve të diplomacisë ndërkombëtare dhe aktiviteteve që ndërlidhen me Qeverinë e Kosovës apo Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës”, ka thënë Halimi.
Ani se shtetet kryesore përbrenda Këshillit i mbështetën aspiratat e Kosovës për anëtarësim, çështjen e ndërlidhën me përparimin në dialogun Kosovë-Serbi.
Ambasada gjermane pati paralajmëruar se mungesa e veprimeve rreth themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk e lehtëson arritjen e shumicës së domosdoshme për anëtarësim.
Bazuar në procedura, parashihen tri faza të votimit për anëtarësim. Në fazën e parë, Komiteti i Ministrave e fillon procedurën e anëtarësimit; në të dytën, Asambleja Parlamentare vendos standarde relevante dhe e jep rekomandimin për anëtarësim. E në të tretën, Komiteti i Ministrave merr vendim pas opinionit të Asamblesë Parlamentare.
Aplikimi i Kosovës ngelet në fazën e parë. Në Ministrinë e Jashtme nuk treguan nëse çështja mbetet përfundimisht jashtë agjendës dhe as mbi veprimet e ndërmarra në lobim.
Halimi thotë se pavarësisht përpjekjeve për të vendosur kontakte e koordinim me Ministrinë e Jashtme të Kosovës, deri më tash nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Nëse Kosova synon të jetë anëtare e Këshillit të Evropës, duhet të respektojë edhe pjesëmarrjen e shoqërisë civile. Por deri tash, përveç me ambasadorin e Kosovës në Strasburg me të cilin kemi pasur kontakte të drejtpërdrejta, zyrtarë tjerë nuk kemi pasur. Ne kemi tentuar t’i kontaktojmë zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme, por deri tash nuk kemi pasur kurrfarë përgjigjeje. Nuk e di nëse kanë interesim ose jo për koordinimin e agjendës. Nuk e di sa iu intereson Këshilli i Evropës dhe nuk e di nëse kanë të njohur thelbin se si funksionon Këshilli i Evropës”, ka shtuar Halimi.
Megjithëkëtë, organizata që përfaqëson Halimi deponoi disa shkresa me kërkesën që Kosova të jetë pjesë e agjendës.
“Me luftën e Ukrainës dhe prapakthimin e përgjithshëm të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit në të gjithë Ballkanin Perëndimor, është më thelbësorë se kurrë një Këshill i Evropës i fuqishëm. Është jetike që shtetet anëtare të Këshillit të Evropës të riangazhohen në themelet e Këshillit të Evropës dhe të ndërmarrin hapa efektivë dhe konkretë për të çuar përpara zbatimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë”., thuhet në letrën e dërguar.
Letra u deponua përbrenda afatit që KE-ja u vuri në dispozicion palëve të interesuara për të dërguar komente rreth çështjeve që duhen trajtuar në samit. E Kosova nuk përmendet as në pikat e listuara nga Presidenca e Islandës, mandati i së cilës përfundon në pjesën e parë të këtij viti.
Kryeministri Albin Kurti e nisi të mërkurën një vizitë në Strasburg. Në një komunikatë të Qeverisë thuhet se ai mori mbështetje nga eurodeputeti Juan Fernando Lopez Aguilar, mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.