Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës njoftoi të premten me shqetësim ka pranuar ankesa nga infermierët lidhur me disa urdhëresa të lëshuara nga drejtoria e SHSKUK/QKUK-së dhe se ndihet tejet e zhgënjyer me trajtimin e infermierëve në disa nga pikat e këtyre urdhëresave.
Në reagimin e tyre thuhet se, duke qenë të informuar mirë me numrin shumë të vogël të personelit infermieror në QKUK, mbingarkesës me punë si dhe duke qenë dëshmitar të trendit në rritje të ikjes së infermierëve, konsiderojnë që një veprim i tillë dhe urdhëresa vetëm se e rrisin mbingarkesën me punë të infermierëve dhe kontribuojnë në trendin e ikjes.
“Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së kërkon nga SHSKUK/ QKUK që detyrat shtesë që i’u ngarkohen infermierëve bazuar në këto urdhëresa siç janë: Ngarkimi me përgjegjësinë e furnizimit me barëra gjatë fundjavave, duke mos qenë detyrë dhe duke mos u kompensuar për këtë përgjegjësi, thirrja e mjekut për rastet e klinikës, edhe pse i njëjti do duhej të ishte në punë sipas kontratës dhe përgjegjësisë duke mos pasur nevojë për ftesë, evidentimi dhe monitorimi i palëve civile apo edhe largimi i tyre nga hapësirat e klinikave dhe mbajtja e evidencave të hyrje-daljeve nga dhomat e pacientëve, ku në fakt infermieri merr trajtim ndryshe sepse të njëjtën nuk janë të detyruar ta zbatojnë mjekët”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, këto punë dhe përgjegjësi indirekt e tjetërsojnë natyrën e veprimtarisë së infermierit, madje në mesin e këtyre urdhëresave ka edhe tendenca diskriminimi.
Të gjitha këto, Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së kërkon të rikonsiderohen, ndërsa në vend të këtyre urdhëresave, QKUK të angazhohet në lehtësimin e barrës të cilën aktualisht e bartin infermierët, qoftë përmes pranimit të një numri më të madh të infermierëve.
“Presim që Drejtoria e SHSKUK/QKUK-së të reflektojë dhe të marrë në konsideratë këto kërkesa në mënyrë që t’iu shmangemi veprimeve dhe masave sindikale”, shtuan ata në reagim.