Është duke vazhduar dëgjimi i dëshmitarit të dytë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Speciale në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi.
Një ditë më parë (të hënën) e përfundoi dëshminë dëshmitarja e parë, ndërsa nisi i dyti, që fillimisht u intervistua nga ZPS-ja.
Prokuroria i ka kërkuar 7 orë kohë për intervistimin e dëshmitarit, mbrojtja e viktimave 15 minuta dhe mbrojtja e të akuzuarve 12 orë.
Dëshmitari, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u pyet nga ZPS-ja për aktivitetin e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës
Kliko KËTU për ta parë LIVE seancën
Përderisa dëshmia e dëshmitarit të dytë vazhdoi shumicën e kohës në sesion privat, gjatë seancës publike, ky dëshmitar tha se kishte kryer punë për Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) derisa kishte qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Ndërsa, shtoi se nga Drejtoria Politike e UÇK-së në Malishevë, ishte ushtruar presion që LDK ta pushojë aktivitetin e saj.
“Po, sa kam qenë pjesëtar i UÇK-së kam kry punë të LDK-së, kam punu, kam vepru”, tha dëshmitari.
I pyetur nga prokurori James Pace se si kanë reaguar pjesëtarë të tjerë të UÇK-së të cilët ishin në dijeni për këtë, ai tha se i kishin kërkuar të tërhiqet, por që nuk ishte tërhequr.
“Kanë kërku m’u tërhek, mirëpo nuk jam tërhek ngase e kisha mbështetjen, e kisha edhe autoritetin”, tha ai.
Fillimisht, dëshmitari pranoi se kishte vazhduar të jetë pjesë e LDK-së edhe pas kyçjes së tij në UÇK.
Tutje, tha se kishte pasur ushtarë të cilët nuk i kanë njohur institucionet paralele, por që sipas tij, një pjesë e madhe ushtarëve dhe krerëve i kanë njohur ato.
Paraprakisht, dëshmitari tha se në prill të vitit 1998, marrëdhëniet në mes të LDK-së dhe UÇK-së nuk kishin qenë shumë të mira.
“Nuk ishin bash të mira, marrëdhëniet e LDK-së me njësitet në Malishevë, edhe pse ishte një pjesë e madhe të kyçur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, mirëpo nuk kanë qenë edhe bash raportet e si me thanë raporte të shëndosha, të mira”, tha i njëjti, duke shtuar se nga Drejtoria Politike e UÇK-së në Malishevë, ishte ushtruar presion që LDK ta pushojë aktivitetin e saj.
Ndryshe, me sesion privat ka vazhduar pjesa tjetër e seancës, e cila ka përfunduar për ditën e sotme dhe nesër pritet të vazhdohet me dëgjimin e të njëjtit dëshmitar.