Analistët: Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, Kosova nuk mund t’i shmanget formimit të Asociacionit, zbatimi të kushtëzohet me njohje

Kosova vazhdon të përballet më presion për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas arritjes së marrëveshjeve të fundit në Bruksel dhe Ohër. Njohës të çështjeve politike në vend vlerësojnë se pas nënshkrimit të marrëveshjeve, Kosova nuk mund t’i shmanget formimit të Asociacionit, por që zbatimi i tij mos të fillojë pa njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë.

Bashkësia ndërkombëtare po vazhdon të bëjë presion ndaj Kosovës që të themelohet sa më shpejt Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sidomos pas arritjes së marrëveshjes për zbatimin e propozimit evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi,që u nënshkrua më 18 mars 2023 në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Profesori universitar, Dorajet Imeri, tha për Radio Kosovën se Kosova nuk mund t’i shmanget formimit të Asociacionit, por që për zbatimin e tij duhet ta kushtëzojë Serbinë me njohjen e shtetit të Kosovës.

“Në këto rrethana unë konsideroj që Kosova duhet të di se si të sillet strategjikisht. Duhet të fillojë të hartojë draftin e Asociacionit  të komunave me shumicë serbe. Ose, një asociacion që është tërësisht në pajtim me Kushtetutën e Kosovës, por i njëjti të mos zbatohet asnjëherë deri në ditën kur Serbia ta njeh Pavarësinë e Kosovës. Pra, fillimi i zbatimit të asaj marrëveshje të kushtëzohet më njohjen De-fakto dhe De-jure të shtetit të Kosovës nga  Serbia”, deklaroi Imeri.

Se formimi i Asociacionit të komunave më shumicë serbe është i pashmangshëm për Kosovën, e thotë edhe njohësi i çështjeve politike në vend, Gurakuq Kuqi. Ai tha se Kosova mund t’i shmanget një formimi të Asociacionit me kompetenca ekzekutive.

“Kosova nuk mund ti shmanget themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sepse edhe vet Qeveria Kurti e ka nënshkruar një marrëveshje të tillë. Mirëpo mund të themi që Kosova mund ti shmanget themelimit të Asociacionit me kompetenca ekzekutive i cili do të krijonte bosnjezimin e Kosovës”, tha Kuqi.

Edhe njohësi tjetër i çështjeve politike, Visar Xani thekson se Kosova e ka obligim me marrëveshje ndërkombëtare, formimin e Asociacionit. Por, ai shton se duke e kundërshtuar formimin e Asociacionit, Kosova është duke marrë goditje të mëdha nga bashkësia ndërkombëtare.

“Kosova tashme këtë pjesën e Asociacionit  e ka të ratifikuar dhe e ka obligim të vetin të cilin patjetër duhet ta zbatojë. Por, që është duke vepruar në mënyrë të cilën e konsideroj që nuk është duke i bërë favor Kosovës, pasi duke e kundërshtuar pjesën e Asociacionit është duke marrë goditje nga bashkësia ndërkombëtare”, deklaroi Xani.

Draft-vizioni, siç e ka quajtur kryeministri Kurti dokumentin e propozuar nga ai, për rregullimin e çështjes së komunitetit serb në Kosovë, i referohet pikës së 7-të të Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Dokumenti parasheh një projekt-statut, në të cilin “vetëmenaxhimi do t’u ofrojë mundësi pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë dhe të promovojnë interesat e tyre përmes kornizës vetëmenaxhuese”.

Dokumenti, ndër të tjera, thotë se do të nxisë projektin jo-territorial, “do të sigurojë një kanal të drejtpërdrejtë të komunikimit me Qeverinë e Kosovës, si dhe do të ofrojë mundësinë që të financohet nga buxheti i Qeverisë së Kosovës, organizatat ndërkombëtare, institucionet e vendeve të treta dhe donacionet, përfshirë edhe nga Serbia. Projekt-statuti, siç thuhet në propozimin e kryeministrit Kurtit, do të njohë plotësisht karakteristikat kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *