Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, dhe të Presidentit të Francës, Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, si dhe zëvendës këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë, Alessandro Cattaneo.
Në këtë takim u diskutua siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit, si dhe normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.
“Mbledhja e sotme e Përfaqësuesit të BE-së, Miroslav Lajçak dhe katër përfaqësuesve të tjerë së bashku me kryeministrin Albin Kurti nënvizon angazhimin e palodhshëm të BE-së, Gjermanisë, Francës, ShBA-së dhe Italisë për zgjidhje të qëndrueshme dhe në këtë mënyrë përshpejtimin e integrimit të plotë të Kosovës në familjen euroatlantike” ka shkruar Rohde në Twitter.