Ambasada e ShBA-së siç duket nuk e ka ndërmend t`i ndal përpjekjet për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Nesër pritet që sërish t`i mbledh përfaqësuesit e institucioneve, partive politike dhe të shoqërisë civile për të diskutuar rreth kësaj çështje.
Ky takim pritet të nisë nga ora 18:30 deri në ora 20:00.
Ndryshe, kujtojmë se kryeministri Kurti i ka prezantuar më 2 shkurt, gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit, por BE-ja nuk i ka komentuar ato.
Sipas Kurtit, Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ketë një emër tjetër dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive, të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, bazuar në modelet evropiane.
Vuçiq, në anën tjetër, i ka konsideruar këto kushte si “përralla“.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.