Të dielën e kaluar, data 17 korrik 2022, në mbikalimin e Fushë-Krujës një atentat mafioz me katër autorë la të vdekur 3 të rinj, konkretisht Diklen Vata, Besmir Hoxha dhe Ervis Martinaj.
Lidhur me ngjarjen, në dritë kanë dalë detaje te reja. Sipas dëshmisë së familjarëve të Diklen Vatës, tre të rinjtë kishin pikasur se po ndiqeshin nga persona të panjohur.
Vata, referuar dëshmisë, kishte marrë në telefon nënën dhe motrën duke i shprehur këtë shqetësim: “Po na ndjekin”.
Po ashtu, në saje të kamerave të sigurisë, por edhe dëshmisë të shokut të viktimave është zbuluar itinerari i fundit që kanë përshkruar para atentatit.
Mësohet se gjatë paradites ata kanë qenë në një lokal në Rinas, ndërsa në mesditë ishin në një restorant të njohur afër mbikalimit të Fushë-Krujës.
Aty kanë parkuar makinën “Volkswagen Passat” dhe një shoku i tyre me makinë dhe i dërgoi deri në Kamëz tek një servis ku kishin lënë një tjetër makinë për riparim.
Makina nuk ishte gati dhe ata janë kthyer po me mjetin e mikut të tyre, deri tek restoranti ku kishin “Passatin”.
Disa minuta më pas dolën prej aty dhe morën drejtimin për tek mbikalimi i Fushë-Krujës.
Pikërisht në këtë vend të rinjtë mbetën të vdekur nga mbi 60 plumba kallashnikovi nga katër autorë ende të paidentifikuar.
Viktimat ishin të tre me të shkuar kriminale, teksa vrasësit dyshohet se ishin me pagesë dhe kryen krimin te mbikalimi i Fushë-Krujës që të ndjerit të mos devijonin.
Brilant Martinaj, 22 vjeç, i njohur edhe si “vrasësi i policave”, pasi ishte në kërkim për vrasjen e efektivit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejte Xhulio Prela, dhe policit 60-vjeçar Xhelal Reçi.
Nga intensiteti i plumbave në drejtim të vendit të parë në automjet, aty ku ishte ulur Brilant Martinaj dyshohet të jetë pikërisht ai shënjestra e këtij atentati.
Viktima tjetër është Diklen Vata, trupi i 30 vjeçarit dergjej i pajetë buzë rrugës jashtë mjetit.
Vata ishte pjesëtar i një bande te njohur në zonën e Fushë Krujës, me precedentë penale, i arrestuar për drogë në 2017.
Ai i shpëtoi plumbave që u derdhën drejt automjetit, por atentatorët u kthyen sërish në vendngjarje për ta ekzekutuar me 2 plumba.
Ndërsa viktima e tretë, Besmir Hoxha njihet si miku dhe i besuari i Brilant Martinaj, ndërsa dyshohet të ketë qenë pikërisht ai drejtuesi i mjetit që iu bë atentat e më pas mori flakë.
Sipas bluve një mjet u gjend i djegur katër kilometra nga vendi i ngjarjes në Larushkë, teksa ezultonte me targa e vjedhura në Tiranë dhe me xhama të zinj.
Brenda mjetit “Pasat” u gjendën dy kallashnikovë dhe një armë automatike MP5.
Paraprakisht mendohet se në shënjestër objektivi i atentatorëve, ishte kushëriri i Ervis Martinaj, Brilant Martinaj.