Aktivisti i Vetëvendosjes emërohet në Bordin e “Infrakos”

Qeveria Kurti II në mbledhjen e sotme që iu dedikua edhe 2-vjetorit të formimit të saj ka emëruar edhe bordin e drejtorëve të ndërmarrjes Infrakos. Aty është, jo për habi, edhe aktivisti i Vetëvendosjes Genc Hundozi.

Për këto pozita kishin qenë plot 48 kandidatë. Mes tyre, më së shumti pikë mori pikërisht Genc Hundozi (20.0).

Në krye të Bordit të Drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje u emërua Edona Nahi, dhe e cila sipas vlerësimit të bërë të ditur nga ana e Ambasadës Britanike i kishte pasur 16.5 pikë, ose më pak se Fatmir Rushiti, Besarta Zuka e Hasan Preteni.

Bashkë me Hundozin si anëtarë u zgjodhën edhe Besarta Zuka dhe Fatmir Raci.

Kush është Genc Hundozi?
Hundozi është një aktivist i moçëm i Lëvizjes Vetëvendosje. Siç shkruante zv. ministri aktual Getoar Mjeku, Genci (Hundozi, pra) “iu kishte bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje” shumë kohë para tij.

“Vendi ynë na bashkoi si shokë dhe Lëvizja si aktivistë.” – shkruante më 15 shkurt 2021, një ditë pas fitores së 14 shkurtit.

Në bazë të të dhënave nga llogaria në rrjete sociale, z. Hundozi del se ishte në të kaluarën edhe përfaqësues juridik i Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).

Tezakja e Vjosa Osmanit, vlerësuese

Në komisionin vlerësues për këtë Bord të ri të Infrakosit ishte hiç më pak tezakja e Vjosa Osmanit, Venera Çerkini.

Çerkini ishte emëruar në këtë pozitë përkundër vlerësimit të ekspertëve të Ambasadës së Britaanisë në Kosovë. Ajo nuuk kishte qenë as në mesin e emrave që ishin në listë të ngushtë, siç raportonte gazeta Nacionale në muajin janar, por megjithatë kishte arritur që të bëhej Drejtoreshë e Agjencionit për Zhvillim të Bujqësisë.

Qeveria Kurti II është kritikuar vazhdimisht për punësime e avancime në baza partiake e familjare.

Çka është Infrakosi?

Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës (Infrakos) ka për mision që të operojë rrjetin hekurudhor të vendit tonë, t’i rris dhe mirëmbajë vijat hekurudhore për operim bazuar në standardet e Bashkimit Evropian, siç shkruan kjo ndërmarrje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *