Deklaratës së kreut të Partisë Popullore serbe, Vuk Jeremiq, se disa duan t’i relativizojnë bombardimet e NATO-s – që ai i ka cilësuar “agresion”- si bombardime ndaj Slobodan Millosheviqit dhe jo ndaj Serbisë dhe popullit të saj, i ka reaguar ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti me një fotografi të Ferdonije Qerkezit me karriget bosh.
Në “tweetet” e tij Ahmeti ka thënë se shumë familje shqiptare kanë histori si të Ferdonijes, ndërsa ka treguar se forcat serbe ia kanë vrarë edhe djalin e tezes së tij, duke e prerë në fyt.
Vuk, kjo zonja poshtë quhet Ferdonije Qerkezi. Tavolina e saj është bosh sepse forcat serbe i vranë burrin dhe katër djemtë më 27 mars 1999. Nëse na vizitoni, do t’ju çoj te vendi i saj. Çdo familje ka këto histori. Djalit të tezes sime i është prerë fyti. Babai i tij, i cili nuk donte ta linte të birin për të shkuar me forcat që i hynë në shtëpi, mori plumb në kokë. Ky “agresion” na shpëtoi. Nuk i fajësoj të gjithë serbët dhe as nuk i urrej serbët. Unë dua të jetojmë si fqinjë të mirë. Më vjen keq për të gjitha viktimat. Është më e vështirë për ne të pranojmë planin, por ne duam të shkojmë drejt të ardhmes dhe shpresoj së bashku me ju,”- ka shkruar Ahmeti.
Ai më tej ka vazhduar duke thënë se i konsideron serbët e Kosovës si qytetarë me të cilët “mund dhe dëshirojmë të jetojmë së bashku”.
“Nëse nuk dëshironi, ky është vendimi juaj. Nga të gjithë ne që kemi jetuar në atë Jugosllavi, të gjithë jemi dakord për fundin e asaj historie, vetëm Serbia jo. Në vendin tonë thonë që nëse tre veta të thonë se je i dehur, më mirë ulu. Mjaft nacionalizëm dhe urrejtje, nuk do t’i lë fëmijët e mi të frikësohen kur të dëgjojnë serbisht. Dhe nuk dua që fëmijët serbë të kenë frikë as në Kosovë. Kemi humbur shumë. Nuk kemi as njerëz e as kohë për të humbur, as ju e as ne,”- ka shkruar më tej ai.