AGK dhe forumZFD publikojnë raportin dhe manualin mbi gazetarinë e ndjeshme ndaj konfliktit

Raporti “Harta mediatike dhe Ballafaqimi me të Kaluarën”, i hulumtuesve Getoarbë Mulliqi, Abit Hoxha dhe Milan Spirovski, u publikua sot në ngjarjen e përbashkët të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe forumZFD në Kosovë.  

Në këtë raport është folur për kompleksitetin dhe diversitetin e peizazhit mediatik në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku gjithashtu është theksuar nevoja për lirinë e shtypit, transparencën dhe miratimin e standardeve profesionale.  

Hulumtuesja Mulliqi tha se në Kosovë mjedisi mediatik është pluralist, me penetrim të lartë të internetit dhe një treg vibrant mediatik të përqendruar kryesisht në kryeqytet. Megjithatë, konteksti historik vendor, ndërhyrjet ndërkombëtare dhe ndihmat e pasluftës kanë ndikuar në këtë peizazh mediatik. Ndërsa, sa i përket Maqedonisë së Veriut, sfida më të mëdha u identifikuan në rënien e të ardhurave, si dhe ndikimin politik.  

“Ashtu si në Kosovë, edhe në Maqedoninë e Veriut gazetarët e kuptojnë rëndësinë e mbulimit objektiv të temave të ndjeshme dhe shmangies së sensacionalizmit, por ata përballen me sfida emocionale dhe etike. Mediat duhet të sigurojnë ndjeshmëri në qasjen e tyre dhe të japin paralajmërime kur është e nevojshme”, u shpreh ajo.  

Në këtë event, u prezantua edhe Manuali për Raportimin e Përgjegjshëm të Ballafaqimit me të Shkuarën, nga Menaxherja e Projektit, Vjollca Islami Hajrullahu.  

Për më tepër, një tryezë diskutimi me temën e njëjtë e përmbylli këtë event. Tryeza u udhëhoq nga gazetarja, Gresa Bardhecaj, ndërsa pjesëmarrës ishin Besa Luci (Kosovo 2.0), Serbeze Haxhijaj (RTK), Muhamet Hajrullahu (Telegrafi), si dhe Remzije Shahini – Hoxhaj (Profesoreshë, UP).  

Raportin “Harta mediatike dhe Ballafaqimi me të Kaluarën” në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, mund ta gjeni në këtë link.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *