Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier – shkruan Neutral.
Përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook, Abdixhiku ka bërë me dije se LDK-ja nuk ka ndryshuar qëndrim karshi propozimit evropian.
Abdixhiku thotë se LDK-ja qëndron prapa asaj se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, pra edhe ajo e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duhet të zbatohen.
“Biseduam për zhvillimet politike në vend dhe procesin e dialogut. Ambasadorin e njoftova mbi qëndrimin tashmë të bërë publik të Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi procesin e dialogut. LDK-ja i ka dhënë gjithnjë përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja po ashtu mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”, shkroi ai.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
Kënaqësi e veçantë që me bashkëpunëtorët e mi, të pres në zyrat e LDK-së ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.
Themelet e bashkëpunimit tonë janë historike dhe mbi to do të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët.
Biseduam për zhvillimet politike në vend dhe procesin e dialogut. Ambasadorin e njoftova mbi qëndrimin tashmë të bërë publik të Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi procesin e dialogut. LDK-ja i ka dhënë gjithnjë përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja po ashtu mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces.
LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Në takim po ashtu elaboruam edhe pikëpamjet tona mbi Preambulën, Nenin 7 dhe Nenin 10 të tekstit të marrëveshjes.