Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të ndërpresë pushimin dhe ka ftuar ministrin e Financave, Hekuran Murati në interpelancë për pezullimin e pagave për grevistët.
“Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kërkon që Kuvendi të ndërpres pushimin, dhe ministri i financave, z. Hekuran Murati të japë llogari në një Interpelancë në Kuvend për bllokimin e pagave”- ka shkraur Tahiri në facebook.
Mocioni i publikuar nga AAK-ja përmban një rezolutë e cila kërkon “Ndaljen e presionit dhe cënimin e të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore dhe ndërhyrjeve në kompetencat dhe autonominë e komunave”.
Greva e përgjithshme në sektorin publik ka nisur më 25 gusht dhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kanë paralajmëruar se greva do të jetë më intensive nga sot.
Rritja e pagës prej 100 euro për të gjithë të punësuarit derisa të miratohet e zbatohet Ligji për Paga, Plotësim – ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti dhe zbatimi sa më parë i Ligjit të miratuar dhe të shpallur për Sigurimin Shëndetësor qysh në vitin 2014 janë tri kërkesat e sindikalistëve.
Ndërkaq, Ministri i Financave, Hekuran Murati në një konferencë për media të mërkurën tha që është bërë ekzekutim i pjesshëm i pagave për grevistët, transmeton gazeta Neutral.
Sipas ministrit kjo ka ndodhur për shkak të situatës së krijuar me grevat që kanë nisur më 25 gusht, pra për shkak të vonesave në procesimin e listave të atyre që kanë punuar dhe të atyre që nuk kanë punuar.