A po vazhdon greva? Kërkuam më shumë se 50 euro por…

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, pas takimit të Këshillit Grevist të BSPK-së me kryeministrin Albin Kurti, tha se bisedimet kanë qenë përmbajtjesore, por nuk është arritur marrëveshje për ndërprerjen e grevës.

Në një deklarim për media, Jasharaj bëri të ditur se në këtë takim kanë paraqitur kërkesat e grevistëve, të cilat tha se janë legjitime, ndërsa në anën tjetër krerët e Qeverisë kanë folur për angazhimet e tyre për t’i plotësuar ato kërkesa.

“Sapo dolëm nga një takim shumë kohë i pritur. Takimi ishte i gjatë, të dy palët i dhanë idetë e tyre. Ne ia rikujtuam kryeministrit Kurti kërkesat tona legjitime. Ata na treguan prapë për angazhimet që i kanë bërë. Takimi ishte përmbajtjesor, por për momentin asgjë s’kemi ndryshime”, u shpreh ai, raporton Telegrafi.

Jasharaj tutje tha se asnjë nga grevistët nuk i ka pranuar shtesat prej 50 eurosh të ndara nga ekzekutivi, ndaj në këtë takim kanë kërkuar rritje, por e cila kërkesë është refuzuar.

“Temë e nxehtë ishte edhe pakoja e fundit e Qeverisë. Ne insistuam që shtesa prej 50 eurosh e cila nuk është pranuar nga asnjë grevist në Kosovë, të lëvizë. Ishim të gatshëm të bëjmë një kompromis të vogël, por Qeveria mbeti te ajo shuma e proklamuar me pakon”.

Ai shtoi se shpreson që dialogu social mes grevistëve dhe Qeverisë të vazhdojë e kryeministri të mos ua mbyll dyert.

“Lajm i mirë është që dialogu tashmë ka filluar. Por, situatën e kemi të njëjtë sepse 50 eurot e Qeverisë nuk janë pranuar nga grevistët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *