Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani e ka cituar veprimtarin Ukshin Hoti përmes një postimi në Facebook, një ditë pasi kolegia e tij nga partia paralajmëroi se disa nga të zgjedhurit e popullit kanë ndërruar mendje për Kodin Civil, i cili përmban edhe një nen që do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i bashkësive civile ndërmjet personave të së njëjtës gjini.
“….sepse fëmijët e mi dhe jo unë vetë, janë kuptimi i jetës sime. Atdheu e fiton kuptimin me ta dhe jo pa ta, pasi që për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe. Ukshin Hoti”, ka shkruar Rrahmani, një nga deputetët e Vv.
Deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu Hyseni, tha të mërkurën në Pressing në T7 se Projektkodi Civil do të kalojë herën tjetër kur do të shkojë për votim në Kuvend.
“Disa deputetë kanë ndryshuar mendje për Kodin Civil, e kanë kuptuar gabimin. Mos të harrojmë faktin se ka pasur shumë presion nga qytetarët, e dimë qëndrimin e qytetarëve për një nen aty. Tri deputetë nuk kanë qenë aty. Për dy vota nuk kanë kaluar. Pra besojmë se do të kalojë me shumicë kësaj radhe”, ka thënë ajo.