Zyrtarët policorë shpesh herë janë cak i sharjeve e ofendimeve nga qytetarët, të cilët ka raste kur eskalojnë edhe në kërcënime e sulme fizike. Në këtë mënyrë ata përballen me vështirësi gjatë kryerjes së detyrave zyrtare e shpesh u rrezikohet edhe jeta.
Një rast i tillë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Fushë Kosovë, ku disa zyrtarë policorë janë përballur me kërcënime nga një person. Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur pasi kanë ndalur për kontroll një veturë brenda së cilët ndodheshin dy qytetarë pejanë.
Gjatë kohës që po kryhej kontrolli, në vendin e ngjarjes ishte afruar një person i cili kishte kërkuar llogari nga Policia se përse i ka ndalur personat në fjalë për kontroll, duke u thënë që mos t’i vonojnë me procedura.
Zyrtarët policorë kanë kërkuar nga i dyshuari që të largohet, mirëpo ai ka refuzuar të largohet e t’ua japë policëve mjetin identifikues që ia kërkuan.
I dyshuari tutje ka vazhduar me kërcënime duke shtyrë zyrtarët policorë që të përfshihen në një përleshje me të. Por pasi pa reagimin e Policisë të cilët morën masa që ta arrestojnë, i dyshuari u largua me vrap që aty për në drejtim të panjohur.
Pas tij kishin vrapuar edhe policët, por qe s’kishin arritur ta kapnin atë.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Kanosje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.