A do të dalin serbët në peticion për ‘t’i rrëzuar’ kryetarët në Veri?

Pjesëmarrja e serbëve në peticion dhe zgjedhje, raportet me kryetarët e katër komunave veriore dhe opsioni i dorëheqjes së tyre për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme në Veri, janë disa nga çështjet për të cilat ka folur ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Rreth 20 ditë më parë, Kryenegociatori Besnik Bislimi dhe lehtësuesi i dialogut Miroslav Lajçak u dakorduan për shtensionimin e situatës në Veri. Në njërën prej pikave ata u morën vesh për shpalljen e zgjedhjeve në Veri që do të mbahen pas “stinës së verës”. Pas kritikave të ndërkombëtarëve se nuk po bën lëvizje për të hapur rrugën drejt zgjedhjeve, Qeveria Kurti ka vendosur për hartimin e udhëzimit administrativ për t’i larguar kryetarët e komunave.

Përderisa Kosova e ka mbështetur peticionin për shpalljen e zgjedhjeve të reja, BE ka thënë se mënyra më e lehtë do të ishte nëse kryetarët japin dorëheqje, gjë të cilën Kurti ka thënë se nuk do e kërkojë.

Për opsionin e peticionit, ministri për Komunitet dhe Kthim, Nenad Rashiq, tha se në “këtë moment” nuk ka interes të posaçëm nga ana e qytetarëve serbë për të marrë pjesë në peticionin për shkarkimin e kryetarëve të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit. Kjo për shkak se është kohë pushimesh dhe nuk ka vullnet maksimal.

Pjesëmarrja e serbëve në peticion, sipas ministrit Rashiq, varet “fatkeqësisht nga një vullnet pozitiv i Beogradit”.

“Sa e di unë nuk ka interes të posaçëm për këtë peticion në këtë moment tash, por kjo nuk do të thotë që kur të përgatitet ajo si peticion, ndoshta deri në atë kohë ndryshohet me dijeni të qytetarëve atje dhe ndoshta marrin pjesë në peticion. Tash për momentin, po ta kishim organizuar peticionin kish dështu, sepse është koha e pushimeve, vullneti nuk është në nivelin maksimal. Prandaj varet prej momentumit. Fatkeqësisht varet nga një vullnet pozitiv ose të gatishmërisë nga ana e Beogradit që prapë nuk shkon gjithqysh në favor të, qoftë pajtimit mes popujve, qoftë në dizajnimin e politikës autoktone të serbëve të Kosovës. Andaj, fatkeqësisht procesi po komplikohet pa arsye dhe në këtë aspekt, unë absolutisht përkrah, siç ka thënë ministri Krasniqi sot që kjo vjen kur organizohet një udhëzim administrativ i tillë, kjo vjen pastaj për më shumë kohë. Por nga ana tjetër, momentumi tash për tash, nuk është i pjekur për një gjë të tillë, prandaj nuk mund të parashikoj se çfarë mund të ndodh për shembull nëse ndodh në fillim të shtatorit, në këtë moment nuk mund të vlerësoj se a do të marrin serbët pjesë a jo”, ka thënë Rashiq për Express.

Ministri i emëruar nga Kurti pas dorëheqjes së Rakiqit, është deklaruar edhe për daljen e serbëve në zgjedhjet e parakohshme në Veri. Ai tha se “gjithqysh” do të ketë një nivel të interesimit që ata të marrin pjesë në zgjedhje.

Ai vlerëson se janë krijuar disa kushte normale që të ketë pjesëmarrje eventuale të serbëve në zgjedhje.

“Gjithqysh kemi me pasë një nivel të interesimit që të marrin pjesë, nuk mund të them që do të jetë 100 për qind por me siguri që do të ketë organizata politike ose grupacione formale ose joformale që të marrin pjesë në zgjedhje sepse e dimë që në këtë moment janë krijuar disa kushte normale dhe kështu që në disa komuna do të ketë pjesëmarrje eventuale të serbëve. Por prapë, po ritheksoj, që në këtë moment, vullneti ose gatishmëria është e ulët, por kjo nuk do të thotë që do të kemi për një muaj një interes më të madh”, është shprehur Rashiq.

Rashiq thotë se ka komunikim të mirë me kabinetet e dy komunave në Veri, që udhëhiqen nga kryetaret nga VV, Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut dhe Lulzim Hetemi në Leposaviq. Mirëpo, njëjtë nuk mund të thuhet për kryetarët e dy komunave tjera, Izmir Zeqiri në Zubin Potok dhe Ilir Peci në Zveçan, që vijnë nga PDK.

Ai deklaroi se nuk ka pasur komunikime zyrtare me ta, por shprehu gatishmërinë që të komunikojë me ta.

“Në Leposaviq kemi qenë pjesë e disa rekomandimeve të emërimit të personave në kabinetin e kryetarit, kemi komunikim të mirë edhe me kabinetin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut… Jo nuk kemi pasur komunikime zyrtare, por normalisht që jam i gatshëm që të komunikoj në çdo formë apo në çdo nivel të komunikimit. Unë jam aty që të bashkëpunoj, jo vetëm me komunitetet serbë, por edhe me komunitetet tjera që janë aty”, deklaroi ai.

Rashiq është pyetur edhe për opsionin favorit të BE-së për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme – dorëheqja e kryetarëve. Këtë opsion, ai e konsideroi si një veprim strategjik.

“Unë kisha konsideruar si një veprim strategjik nëse kryetarët mund të ofrojnë dorëheqje se atë opsion ne e kemi një iniciativë, ose më mirë të them, institucionet e Kosovës nëse e kemi për qëllim integrimin e serbëve në veri, po të kishin dhënë dorëheqje kryetarët, ne do të kishim pas iniciativë të dizajnimit të skenës politike në Veri”, tha ai për Express.

Dje u bë publike se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si përgjegjëse e çështjeve të pushtetit lokal ka filluar me përgatitjen e procedurave që do të mundësonin largimin e kryetarëve nga komunat veriore.

Kjo ministri tashmë ka caktuar grupin punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

Sipas vendimit të nënshkruar nga ministri, Elbert Krasniqi, ky grup duhet ta finalizojë projekt udhëzimin administrativ deri më 1 shtator 2023. /GazetaExpress/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *