Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, i ka dhënë një javë afat u ka dhënë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) për të marrë pjesë në mbledhjen për shqyrtim të planeve vjetore të këtyre dy institucioneve.
Ky Komisioni sot nuk mbajti mbledhjen sepse kryetarja e Bordit të OSHP-së dhe përfaqësues të KRPP-së nuk morën pjesë.
Kryetari i Komisionit, Armend Muja, ka thënë se kryetarja e Bordit të OSHP-së ka njoftuar se gjendet jashtë vendit dhe e ka të pamundur pjesëmarrjen, ndërsa nga KRPP-ja kanë njoftuar se janë në takim zyrtar në Londër.
Muja e ka quajtur “kronike” mungesën e OSHP-së në komisione. Ai ka njoftuar se e mërkura e ardhshme do të jetë dita finale, në të kundërtën “do të procedohet sipas ligjit dhe do t’i raportohet Kuvendit”.
Edhe deputeti i LVV-së, Eman Rrahmani, e ka cilësuar shqetësuese mospjesëmarrjen e agjencive të pavarura në Komision.
“Duhet ta shohim legjislacionin të marrim masa ndaj këtyre njerëzve që janë të papërgjegjshëm ndaj institucionit të Kuvendit. Nuk duhet ne t’u përshtatemi agjendave të agjencive të ndryshme”, ka thënë ai.