Eliza Hoxha, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e ka punësuar gruan e tij në komunë.
Ajo ka thënë se ndonëse nuk merr rrogë, ajo zë vend në aktivitete të rëndësishme si të ishte funksionare e komunës kryeqytetase.
Sipas Hoxhës, madje gruaja e Përparim Ramës ka zyrë në komunë.
“Rama e ka punësuar gruan e vet aty, pa pare punon. Ka email të komunës, shkon në aktivitete që duhet me qenë Donjeta (Donjeta Sahatçiu, ish-nënkryetare), e jo gruaja e Përparim Ramës”, deklaroi ajo në emisionin Pressing të T7.
“Shumë projekte, për shembull për kancerin e gjinit që ish dashtë ta udhëhiqte Donjeta, bashkë me kryetarin e udhëhoqi atë proces gruaja e tij. Anashkalohet Donjeta dhe i jepet projekti për me udhëheq zonjës së z. Rama. Më vjen keq që po e përmend, sepse e njoh dhe e respektoj personalisht. Por është e pandershme ajo me qenë pjesë e proceseve ku Rama është kryetar, sepse nuk ka punë aty. Nuk është zonja e parë ashtu, Rama nuk është president, është kryetar i komunës”, ka thënë Hoxha.